1 Prilli, si datë është markuar si ‘dita e gënjeshtrave’, dita kur të gjithë e gënjejnë dikë.
Origjina e kësaj date, sipas historianëve mendohet të jetë shumë e vjetër, qysh në kohën kur njerëzit kanë organizuar edhe festivale të gënjeshtrave.
Në këtë ditë, Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i cili njihet në publik për mos hezitimin e tij për të folur atë çfarë mendon.
I pyetur se cila mendon se është gënjeshtra më e madhe që i është thënë popullit kosovar që nga paslufta, Zeka ka thënë se nuk e mban mend ndonjë gjë që nuk janë gënjyer qytetarët e Kosovës.
Gënjeshtrën të cilën deputeti e ka veçuar, ka qenë projekti i shtetndërtimit i cili sipas Zekës nuk ka ndodhur kurrë.
“Unë nuk e di asnjë gjë që nuk është rrejtë qytetari i Kosovës këto 20 vjet. Mendoj se projekti i shtetndërtimit ka dështuar komplet. Rrena më e madhe që i është thënë qytetarëve të Kosovës, ka qenë premtimi se do të ndërtojmë shtetin e Kosovës, e shteti nuk u bë”, ka thënë Zeka.
Tutje, deputeti nga radhët e NISMA-s ka thënë se gënjeshtrave nga ana e Qeverisë, Parlamentit dhe politikës në përgjithësi iu kanë dalë në krah edhe ndërkombëtarët.
“Të gjitha këto të zeza që janë bërë në Kosovë, pra korrupsioni, bllokada dhe izolimi janë vepër e jona dhe e ndërkombëtarëve, por vendin numër një e mbajnë ndërkombëtarët. Ata ndryshe kanë folur zyrtarisht me liderët tonë politik dhe ndryshe kur kanë dalur jashtë takimeve, kështu që shumë keq e kanë izoluar këtë vend”, ka deklaruar Zeka për Ballkani.info.
Në fund, deputeti Zeka ka thënë se 1 Prilli është data e vetme kur shqiptarët nuk gënjejnë. /Ballkani.info/







