Milaim Rama padyshim është në mesin e sulmuesve më të mëdhenj që ka pasur futbolli shqiptar.

Ish sulmuesi i disa skuadrave në Zvicër, shkaku i rrethanave që i njohim të gjithë, e ka pasur të pamundur të vesh fanellën e Kosovës, e cila është pranuar nga UEFA dhe FIFA vetëm në vitin 2016.

Në pamundësi për të luajtur për Kosovën, dhe me një karrierë që po bënte në Zvicër, Rama vendos të përfaqësojë shtetin helvetik, me të cilët ishte edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2004 në Zvicër.

Rama, që është lojtari i parë nga Kosova që ka luajtur për Zvicrën në Kampionatin Evropian, ka deklaruar se i ka mbetur merak fanella ‘Dardane’, të cilën nuk ka pasur mundësi ta vesh në ndeshje zyrtare.

“Absolutisht, unë flas për veten time, mua më ka mbetur merak”, është përgjigjur Rama në pyetjen nëse i ka mbetur merak që nuk ka pasur mundësi të luajë për Kosovën në emisionin ‘Favorit’.

“Më është dhënë mundësia që të vijë dy herë të luaja me yjet e Kosovës, ishte në atë kohë selektor Edmond Rugova, na ka bërë ftesë dhe unë jam ndjerë krenar që kam pasur mundësinë të vijë në stadium në Prishtinë dhe t’i luaj dy lojë”, ka vazhduar Rama.

Rama tutje ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës, ku është shprehur i lumtur me sukseset që po arrijnë ‘Dardanët’.

43 vjeçari nga Vitia, që në Zvicër vitet më të mira të karrierës i ka pasur te Thun, ka qenë i pranishëm në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, kur Kosova barazoi 1-1 me Bullgarinë.