Kur Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur drejtor i RTK-së, për këtë vendim votuan 6 anëtarë të Bordit.

Sindikata e RTK-së me në krye Fadil Hoxhën, nuk lanë gjë pa thënë duke e vlerësuar se ka qenë vendim i jashtëligjshëm.

Në anën tjetër, pas disa vitesh, në situatën e njëjtë doli miku i ngushtë i Fadil Hoxhës, Hysen Hundozi.

Ky i fundit u emërua U.D drejtor me 6 vota të anëtarëve të Bordit. Megjithatë, Bordi që u përzgjodh nga pushteti, kanë ndryshuar edhe Statutin me arsyetimin e situatës së jashtëzakonshme.

Kur Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur me 6 vota drejtor, Fadil Hoxha kishte thënë se ky vendim është i paligjshëm.

“Drejtori gjeneral është zgjedhur me 6 vota. Shkelja është e matshme dhe e argumentueshme. Ne kemi shku, kemi alarmu, ne paguhemi me mbrojtë ligjshmërinë e po bëjmë shkelje të ligjit. Nuk ka kanë lënë me monitoru dhe kur e kemi pa që brenda s’po mundemi me bo kurrgjë ju kemi drejtuar Kuvendit, kryetar i Komisionit për media ka qenë Nait Hasani dhe i kemi thanë: Ndaleni këtë gabim! mirëpo ai ka thënë që Kuvendi nuk e trajton” , ka thënë ai në Kallxo.

Hoxha ka thënë se bordi përveçse ka zgjedhur jashtëligjshëm drejtorin, ka vazhduar edhe me zgjedhjen e menaxhmentit të cilin e ka bërë pa transparencë.

“Sindikata nuk është thirrur kur është realizuar intervista me gojë, dhe ne pastaj e kemi kompletuar dosjen dhe e kemi dërguar në Inspektorat të Punës për shkak që nuk është përfillur kontrata kolektive, përkatësisht neni që na lejon monitorimin e procesit. Inspektorati më tha që tek para një javë inspektorja e ka marrë rastin se ka qenë me COVID-19”, ka thënë ai.