Mikrobiologu Raka për hapjen e xhamive: Çfarëdo grumbullimi është kërcënim për shëndetin publik

Mikrobiologu Lul Raka, ka apeluar që qytetarët t’ju përmbahen masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Ai ka dhënë detaje për takimin që patën sot me Myftiun Naim Tërnava, ku tha se qëllimi kryesor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, njofton Klan Kosova.

”Unë kuptoj plotësisht shqetësimin e besimtarëve, të atij i cili po mban Ramazan dhe i cili një nga festat kryesore e ka Bajramin”.

”Qysh nga mesi i prillit e kam shkruajt, e edhe më herët e kam thënë se: çfarëdo grumbullimi i njerëzve është kërcënim për shëndetin publik në Kosovë”.

”Kjo vlen edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës, edhe për testimet e demonstratave në shesh, edhe për besimtarët në Kosovë”.

Raka në Info Magazine tregoi pse falja e namazit të Bajramit si më parë, apo hapja e xhamive në Kosovë do të përbënte rrezik në këtë kohë pandemie.

”Janë me qindra e mijëra besimtarë, nga to në mesin e tyre janë mbi 65 vjeç, në moshë pensionimi e që mund të kenë probleme kronike shëndetësore, e të cilat janë kërcënim serioz për virusin e ri”.

”E tash vendimi, propozimi apo sugjerimi ynë për me shmangë faljen në xhamia, është shumë i randë. Por edhe në kohë pandemie, princërit kanë marrë vendime shumë të vështira”.

”Por duke marrë parasysh shëndetin e besimtarit, ai pastron duart vazhdimisht, por ai mund ta bartë në shtëpi dhe familjari apo kushdo që ka kontakt me të mund ta përballojë shumë më rëndë”.