Mikrobiologu Lul Raka ka një kërkesë për qytetarët e Kosovës

Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se vatër kryesore e pandemisë është grumbullimi i njerëzve, të cilët po grumbullohen nëpër ditëlindje, nëpër varrime e nëpër mbledhje të ndryshme në familje.

Ai ka bërë thirrje që të ruhet distanca dhe të ndalohet grumbullimi i personave, pasi që, siç u shpreh ai, vatra kryesore e valës së fundit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë kanë qenë personat josimptomatikë.

“Bëj thirrje te të gjithë qytetarët që të mos mblidhen në grupe, në ditëlindje, në varrime, e në mbledhje familjare, pasi kjo paraqet rrezikun për përhapjen më të shpejtë të virusit dhe ka mundësi që të mos identifikohet personi i infektuar, të mos ketë simptoma të virusit”, tha Raka.

Ai gjithashtu shpreh shqetësimin për qytetarët, duke thënë se edhe lehtësimi i masave do të çojë në rritjen e numrit të të infektuarve dhe porosit qytetarët që të mos hyjnë nëpër dyqane të vogla, të mos rrinë në vende pune ku nuk ka ventilim, të mbajnë distancë prej 2 metrave, në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e tyre.

“Me lirimin e masave e kemi pritur që numri i të infektuarve do të rritet, andaj bëj apel që të mos hyjmë në dyqane të vogla, të mos rrimë në vende pune që nuk kanë ventilim, të mbajmë distancë 2 metra larg njëri-tjetrit, sepse aty atëherë është rreziku”, ka thënë Raka në këtë intervistë.