Mike Pompeo i beson Ballkanin. Ja detyra e re e Matthew Palmer…

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si Përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, zoti Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqëndruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”, thuhet në deklaratën e DASH.

Departamenti amerikan i Shtetit njofton se si Përfaqësues i Posaçëm, zoti Palmer do të shkojë në Slloveni duke filluar nga 1 shtatori për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë, nga 4 deri më 10 shtator.

Përveç shërbimit si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit, zoti Palmer do të vazhdojë të jetë Zëvendës Ndihmës Sekretar në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018.

Më parë, ai ka qenë Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore.

Ndërkohë ka qenë tepër aktiv edhe me situatën politike në Shqipëri duke e vizituar vendin tonë disa herë…

loading…