Mijëra çekë protestojnë me thirrje kundër BE-së dhe NATO-s, duan bisedime me Rusinë

Me thirrje anti qeverisë, BE-së dhe NATO-s, mijëra çekë protestuan në kryeqytetin Pragë. “Duam ti përcjellim një mesazh kësaj qeverie arrogante: boll më! Ne nuk jemi dele. Ikni!”, tha Jiri Paroubek, ish-kryeministër.

Manifestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë së qendrës së djathtë të cilën e fajësojnë për rritjen e çmimeve dhe për një fokus të tepruar ndaj luftës në Ukrainë. Ata bënë thirrje për bisedime me Rusinë lidhur më furnizimet me gaz para dimrit.

“Ne fajësojmë qeverinë se nuk po kujdeset për çekët dhe po mbështet të huajt si Ukraina”, tha Jiri Sykora, demonstrues.

Protesta që u mbajt në festën kombëtare të 28 nëntorit, kur çekia përkujton themelimin e Çekosllovakisë së pavarur, ishte e treta që organizohet nga lëvizjet e së djathtës ekstreme dhe partia komuniste. Grupi organizator, “republika çeke e para” kundërshton Bashkimin Europian dhe aleancën ushtarake të NATO-s dhe kërkon që shteti prej 10,7 milionë banorësh të jetë neutral.

Një kundërprotestë me numër më të vogël pjesëmarrësish u zhvillua në një zonë të afërt, në mbështetje të Ukrainës.

Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, i ka ofruar Ukrainës ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare që kur Rusia nisi agresionin në shkurt. Por rritja e çmimeve të energjisë dhe inflacioni që arriti ne 18-përqind, e kanë rënduar barrën ndaj qytetarëve,  pavarësisht masave lehtësuese të qeverisë./A2/