Migjeni: Në kofsha unë ikona e rock e roll-it dhe e Prishtinës, Kadri Veseli është ikona e luftës

Gjurmët e tij Migjen Kelmendi do t’i vazhdojë tash e tutje në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Treni i tij i është bashkuar karvanit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për ta luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.

Nuk dihet çfarë ere e dërgoi Kelmendin, në frymën e PDK-së, mirëpo ai deklaroi se gjatë luftës në Kosovë, nuk e kishte njohur shefin e tij më të ri, Kadri Veselin, shkruan Gazeta Insajderi.

Në një anë, Kelmendi thoshte si ishte i afërt me Veselin dhe se sot pas 30 vjetësh janë takuar sërish. Si duket për ikonën e rokut kosovarë, nuk kishte marr çdo gjë fund.

“Kur ishte Kosova në atë fazën, ma të zorshme të vetëm gjatë viteve 97-99, unë me zotëri Veseli kemi qenë afër, nuk e kom njoft e nuk e kom ditë kush është, mirëpo kemi qenë afër, kena qenë në atë anë që historia vërteton, që historia e vërtetoi që është ana e duhur e saj dhe po takohemi sot 30 e kusur vjet, prapë bashkë”, ka thënë Kelmendi.

Duke e njohur kreativitetin e Kelmendit, ai filloi t’i thurr vargje heroike, Veselit, e quan dy herë ikonë.

“Unë deshta me ju thanë që jam dëshmitar me kamerë se në kofsha unë ikona e rock e roll edhe e Prishtinës, Kadri Veseli është ikona e luftës, ikona e luftës kundër Millosheviqit, një nga ikonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, ka thënë Kelmendi.

Migjen Kelmendi u bë i njohur si këngëtar i rock grupit muzikor “Gjurmët”.

Ndërkaq, nga viti 1988 deri më 1990 ishte redaktor përgjegjës i programit të Kontaktit të Radio Televizionit të Prishtinës. Ka punuar në media të ndryshme ku në vitet 2000-2001 ishte drejtori i parë shqiptar i Radio Televizionit të Kosovës.

Nga viti 2006, Migjen Kelmendi drejton televizionin kabllor, Rrokum TV.

loading…