Miftaraj: Qeveria Kurti ka nisur punën mbrapsht

Ehat Miftaraj vlerëson se Qeveria Kurti ka nisur punën mbrapsht. Duke komentuar koncept-dokumentin për hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë, Miftaraj nga IKD-ja ka thënë se kjo mund të kënaqë e të mashtrojë vetëm qytetarët që presin ndryshim dhe injorantët e fushës.

Miftaraj në Deskun e KOHËS tha se ka pritur një nismë ndryshe të Qeverisë Kurti 2.

Ai tha se IKD-ja ka bashkëpunuar gjatë me VV-në sa ishte në opozitë për siç tha të ekspozojë të këqijat, të punohet në përmirësim të ligjeve e qeverisjes, por ajo që ka parë në ditët e parë të Qeverisë Kurti 2, është e kundërta.

“Në fillimet e veta kjo Qeveri nuk po u përmbahet premtimeve të fushatë, një vizioni që e kemi pasur për qeverisje të mirë. Është diçka që e dërgon një premtim të rrejshëm që nuk do të realizohet, për injorantët e fushës, për qytetarët që po e presin ndryshimin është diçka e jashtëzakonshme, por për ekspertë të fushës është e parealizueshme. Kjo iniciativë është pak a shumë kështu, ‘ne kemi një shtëpi 200-vjeçare dhe ne nuk po investojmë me i forcu themelet, as katin e parë por po shkojmë direkt në kulm”, tha Miftaraj.

Sipas tij, kjo iniciativë për krijimin e ligjit përmes të cilit do të konfiskohej pasuria e paligjshme, nuk mund të ketë sukses, pas pasur ndryshime në gjyqësor e prokurori.

“Prej vitit 2013, shteti ju ka jap (prokurorëve e gjykatësve v.j.) mitraloza, tanke, autoblinda, ua ka plotësuar të gjitha kërkesat, rrogat në qiell, kushte për punë të jashtëzakonshme, secili sot ka veturë, 30 mijë euro pagë vjetore, 20 mijë shtesë. Por veç me punu përtojnë. E ne tash duam që shteti me ju japë edhe bombë atomike dhe me përfundu problemin. Kam pritur nga Qeveria Kurti të fillojë mbarë, si fillohet, me një pako qeverisëse që e dërgon në Kuvend, po e presim edhe pak, edhe pse të tjerat e kanë dërguar në javën e parë. Pas plan-programit, e miraton një plan legjislativ. Nuk mundet me inicu ky koncept-dokument”, ka thënë Miftaraj.