Miftaraj: Kushtetuesja s’do ta kishte rrëzuar Qeverinë Kurti, ndonëse Etem Arifi votoi edhe për të

Gjykata Kushtetuese nuk do ta kishte rrëzuar Qeverinë Kurti, në rast se dikush atëherë do ta çonte për shqyrtim në autoritetin më të lartë të vendit për interpretimin e Kushtetutës, votën e ish-deputetit të dënuar, Etem Arifi në vendimin për formimin e asaj qeverie. Kështu është shprehur për Express drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj.

Sipas Miftarajt, formimi i Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Hoti dallojnë. Ai ka shpjeguar se si pasojat juridike në atë rast nuk do të ishin të njëjta.

“Formimi i Qeverisë Kurti dhe Hoti dallojnë për nga numri i deputetevë që kanë votuar, përfshirë votimin për kryetar të Kuvendit. Përderisa vota e deputetit Arifi ka qenë vendimtare vetëm në raport me Qeverinë Hoti, respektivisht i njëjti ka përmbushur kushtin kushtetues që të votojnë 61 deputetë për formimin e qeverisë, andaj edhe pasojat juridike lidhur me forkimin e Qeverisë Hoti nuk janë të njëjta dhe nuk do të prodhonin të njëjtin rezultat sikur të dërgohej në Kushtetuese”, është shprehur Miftaraj.

Kushtetuesesja ka konstatuar se vendimi i 3 qershorit për formimin e Qeverisë Hoti nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, pasi kabineti qeveritar i prezantuar në Kuvend nuk kishte marrë shumicën e votave të deputetëve.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e dytë të aktgjykimit të Kushtetueses.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të martë u takua me shumicën e përfaqësuesve të partive politike parlamentare për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre.