MFT: Anulohet vendimi për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë në thesar

Ministria e Financave dhe Transfereve ka bërë të ditur se është anuluar vendimi për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë dhe pranimin fizik të shkresave në Thesar, transmeton Klan Kosova.

Në njoftimin e MFT-së thuhet se duke u bazuar në Vendimin e Qeverisë për relaksimin e masave të situatës së pandemisë dhe me qëllim të mundësimit të pranimit të kërkesave të reja për pagesë, bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit ka marr vendim për shfuqizimin e vendimit për pezullim të pranimit të kërkesave për pagesë dhe pranimin fizik të shkresave në Ministrinë e Financave dhe Transfereve-Thesar, me efekt nga data 1 qershor.

Megjithatë, ju bëjmë thirrje palëve që të kenë kujdes maksimal dhe të duhur si dhe të respektojnë masat dhe udhëzimet e institucioneve shëndetësore gjatë procesit të dorëzimit të shkresave fizikisht në arkivin e Thesarit.

Po ashtu, kërkojmë mirëkuptimin që për shkak të mbingarkesës aktuale si dhe funksionimit jo me kapacitete të plota (sipas vendimit të Qeverisë për staf esencial), realizimi i kërkesave tuaja mund të marrë me tepër kohë se zakonisht.