Metastazimi i nepotizmit diplomatik, prijnë PDK e LDK

Emërimi i të birit të Haxhi Shalës, ish deputet i NISMA-s, tani vonë i antarësuar në AAK, konsull i përgjithshëm në Pragë, hapi edhe njëherë debatin e nepotizmit në Kosovë. Por, ky nuk është as rasti i parë e as i fundit.

Qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë kanë vepruar gjithmonë ngjashëm, disa me bujë, e disa pa bujë mediale.

Nuk është vetëm deputeti Shala, që ka punësuar familjarin. Ndërkohë, lista e të punësuarve, që janë familjarë të afërt apo kushërinj me politikanët në MPJ, ambasada e konsullata, është shumë e gjatë: Liridon Sadrija, Festim Lushtaku, Suzan Novoberdaliu, Leurata Berisha (mbesë e Enver Hoxhaj), Uran Kryeziu (djali i Vlora Dumoshit), Tefta (Migjen) Kelmendi, Enver Buqaj, Ajmane Veseli, Petrit Hajdari, Shota (Bujar) Bukoshi, katërshja e kushërinjve: Vlora Baraliu-Dobra, Aromë Baraliu, Imer Lladrovci dhe Hatmane Krasniqi. Edhe shoferi i ish ministrit Hoxhaj, Ilir Berisha, është graduar në konsull. E lista vazhdon.

Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 2013-së, punësoi me qindra aktivistë në komunën e Prishtinës.

Shumë agresivë, në punësime partiake, e sidomos me “kontrata të përkohshme”, ka qenë edhe NISMA.

Sipas një hulumtimi të vitit 2019, nga organizata Çohu, 406 zyrtarë të lartë publik, kanë qenë të punësuar me prapavijë të qartë politike. Në listë prin Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 185 të punësuar, pasuar nga LDK me 125 të tillë, që i bie mbi 76% të të punësuarve partiakë. Ndërkohë që lista vazhdon me AAK-në, AKR-në dhe partitë e tjera.

Vazhdimisht ka pasur emërime të tilla në pozita të larta, qoftë përmes konkurseve publike, qoftë emërime direkte. Arsyetimi gjithmonë ishte, se edhe fëmijët e kushërinjt e politikanëve kanë të drejtë të punësohen.

Sidoqoftë, punësimet dhe emërimet duhet të bëhen në bazë të meritokracisë dhe përgatitjes profesionale, por assesi të ndëshkohet dikush për shkak se rastis të jetë anëtarë i familjes së një apo disa politikanëve në Kosovë.