Meta vlerëson me “Nderin e Kombit” dy xhudistet e arta të Kosovës dhe trajnerin Kuka

Presidenti i Republikës Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar të hënën me dekoratën “Nderi i Kombit” dy xhudistet kampione nga Kosova, fituese të medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton Kuka.

Në fjalën e tij, presidenti Meta tha se dy kampionet e njohur lartësuan krenarinë kombëtare dhe janë shembuj frymëzimi për sportistet e reja.

“Kur Majlinda Kelmendi mori medaljen e artë në Rio, të gjithë shqiptarët u emocionuan. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse ishte hera e parë që Kosova prezantohej në një veprimtari të tillë dhe me shumë sukses, duke tërhequr mjaft vëmendje. Por tani, kur kemi dy të arta nga Tokio, sigurisht që nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngjarje dhe me një talent të jashtëzakonshëm, siç ishte dhe është Majlinda Kelmendi, por kemi të bëjmë me një projekt të jashtëzakonshëm, me një vazhdimësi dhe një strategji, me një punë tepër profesionale, por edhe shkencore”, tha ndër të tjera Meta.

Kreu i shtetit shqiptar çmoi sportistet Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën.

“Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera, Distria Krasniqi, si fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e xhudos, duke treguar aftësi profesionale dhe talent të padiskutueshëm. Me mirënjohje për pasionin dhe përkushtimin e saj duke dëshmuar cilësi të rralla si sportiste e nivelit botëror, duke ngritur lart krenarinë kombëtare. Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera, Nora Gjakova, si fituese e medaljes së artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e xhudos. Me mirënjohje ndaj talentit dhe personalitetit të saj, që e shndërroi në një shembull frymëzimi për sportistet e reja, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.

Meta vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” trajnerin Driton Kuka.

“Në shenjë vlerësimi për talentin dhe personalitetin e gjithanshëm të treguar në sport, me arritjen e rezultateve të larta në sportin e Xhudos, duke fituar me sportistet e tij medaljet e arta në Lojërat Olimpike Verore të Rios 2016 dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020. Me mirënjohje për punën dhe kontributin e tij në sportin e xhudos, që është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë e të rejat, duke ngritur lart krenarinë kombëtare””, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.