Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta thotë se Kosova ka treguar gatishmëri maksimale për të bashkëjetuar në paqe me Serbinë.

“Ka treguar vullnet maksimal për të garantuar në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe pozitive bashkëjetesën brenda Kosovës edhe me serbët e Kosovës apo qoftë me pakicat e tjera”, është shprehur ai në një intervistë për televizionin publik.

Duke komentuar ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Meta ka theksuar se “procesi i dialogut nuk ka arsye për të hyrë në shtigje të shpikura. Procesi i dialogut ka qenë në mënyrë të qartë për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të ecë drejt marrjes së statusit kandidat dhe njëkohësisht drejt çeljes së negociatave, gjë që ka ndodhur. Dhe njëkohësisht synon që përmes një marrëveshjeje përfundimtare të zgjidhë edhe të ardhmen e Serbisë si një vend anëtar në BE dhe Serbia të fitojë perspektivë të qartë europiane, si çdo vend që duhet të zgjidhë problemet me fqinjët”, – është shprehur Meta.

Sipas Presidentit të Shqipërisë “natyrisht, kjo kërkon që njëkohësisht Serbia të njohë këtë realitet duke u sjellë si një shtet i gatshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Devijimi pastaj i dialogut në çështje të tjera nuk i shërben mendoj as Serbisë, as Kosovës, as rajonit tonë dhe besueshmërisë së BE-së për vlerat mbi të cilat është krijuar dhe ekziston”, – ka theksuar ai.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshimet në Ligjin për FSK-në, të cilat e kanë shndërruar këtë forcë në Ushtri të Kosovës.

“Është një ngjarje mjaft pozitive dhe ç’është më e rëndësishmja kemi të bëjmë me kalimin drejt një cilësie të re të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë. Ky ishte një proces që ka nisur prej kohësh dhe ka qenë një pritje e natyrshme për të kaluar në këtë fazë, sepse ka qenë e paralajmëruar dhe e përgatitur”, ka thënë Meta.

Tutje, si shtoi se madje ndoshta ky proces edhe ka qenë i shtyrë në kohë, por absolutisht që është një ngjarje kyçe në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës.