Dialogu Kosovë – Serbi

Meta takon Pahorin, diskutojnë për dialogun Kosovë – Serbi

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar në Ljubljanë ish-presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Dialogu Kosovë – Serbi ishte pjesë e diskutimit në mes të Metës e Pahorit, të cilët theksuan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme të Brukselit drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve.

“Ndamë qëndrimin për nevojën jetike të rikthimit tek dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimit të plotë, të drejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të negociuara përmes BE dhe SHBA, si rruga e vetme për normalizimin përfundimtar të situatës dhe të marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka shkruar Meta në Facebook.

Në takim është diskutuar edhe për Forumin Strategjik të Bledit dhe Procesin e Brdo-Brijunit, për të cilat është thënë se mbeten dy platforma të shkëlqyera drejt integrimit në BE.

“Vlerësova se Forumi Strategjik i Bledit dhe Procesi i Brdo-Brijunit mbeten dy platforma të shkëlqyera që na përafrojnë më shpejt me BE dhe se reformat e vërteta dhe të vendosura në këtë drejtim do të luajnë rolin e forcës kryesore shtytëse për shoqëritë tona, për të përmirësuar standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, llogaridhënies në çdo nivel dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe standardeve shoqërore”, ka shkruar tutje Meta.

Meta ka potencuar se vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë e Sllovenisë teksa ka thënë se pret thellim të bashkëpunimit më tutje.

“Mbështetemi shumë tek Sllovenia dhe vlerësojmë se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë miq meritojnë rezultate shumë konkrete në nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, ka theksuar ai.

Ndryshe, më 10 prill, ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka konfirmuar se dëshiron të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në pozitën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas raportimit të Gazetës sllovene “Delo”, thuhej se Pahor ka mbështetjen e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, dhe në muajin e kaluar kishte biseduar me shumë zyrtarë të BE-së për këtë çështje duke shtuar se kryeministri Golob ka shprehur mbështetje të pakushtëzuar për Pahorin që ta zëvendësojë Lajçakun.