Meta pas takimit me Osmanin: Do ta mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë tre ditore në Shqipëri.

Me nderime të larta shtetërore ajo është pritur nga presidenti shqiptar Ilir Meta, teksa pas takimit të dy dolën në konferencë për media.

Meta konfirmoi se me Osmanin folën për të ardhmen evropiane të dy vendeve si dhe për heqjen e kufijve dhe barrierave ekonomike mes dy vendeve.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kjo i shërben edhe sigurisë së rajonit. Shpreha mbështetjen time ndaj ish-drejtuesve të institucioneve të Kosovë për tu përballur me drejtësinë për të konfirmuar kështu edhe njëherë pastërtinë e luftës kundrejt gjenocidit serb në Kosovë”, ka thënë Meta.

Më tutje presidenti shqiptar theksoi se me Osmanin kanë diskutuar edhe për situatën me pandeminë Covid-19 në të dy shtetet.

“Biseduam për bashkëpunimin e institucioneve shëndetësore në mes të dy vendeve në mënyrë që dëmet përfshirë edhe ato ekonomike të jenë më të vogëla”, ka thënë më tutje ai.

Meta nuk la pa përmendur edhe kontributin e kosovarëve në turizmin e Shqipërisë gjatë këtij viti.