Meta: Jam në kontakt me Thaçin dhe Veselin, jam i bindur se do të përballen dinjitetshëm me sfidën që kanë para

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në adresimin e përjavshëm të tij ka folur për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Meta ka thënë se ka komunikuar në dy ditët e fundit edhe me Thaçin edhe me Veselin, njofton Klan Kosova.

““Kam pasë komunikim me Thaçin dhe Veselin dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe jam i bindur që ata kanë të gjithë qetësinë dhe përgjegjshmërinë për të përballur me dinjitet këtë sfidë, jo thjeshtë personale, por në interes të dinjitetit të popullit të Kosovës dhe luftës çlirimtare që ai bëri”.

“Nuk është momenti të merremi me drejtësinë ndërkombëtare. Nuk është se kemi shkëlqyer në drejtësi kombëtare që të merremi me atë ndërkombëtare. Miratimi i gjykatës ka qenë akt i sforcuar dhe e dimë shumë mirë nga të gjitha aktorët që është shtyrë, ku në radhë të parë është vet pala që e shkaktoi atë luftë që shkaktoi gjenocidin dhe që nuk mund ta pranojë realitetin e ri”, është shprehur Meta.

“Duhet të them që të gjithë drejtuesit kryesorë të UCK që janë akuzuar në mënyrë të përsëritur i kanë fituar të gjitha betejat me drejtësinë ndërkombëtare. Është moment për urtësi, unitet jo vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri dhe kudo tjetër. Nuk është momenti për të ushqyer mosbesim ndaj aleatëve tanë perëndimorë që kanë qenë dhe janë me popullin e Kosovës me shtetin e pavarur të Kosovë”.