Mësuesi vrau babanë e nxënëses në Pejë, IPK fillon hetimet

Xhevdet Januzaj është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet për vrasjen e babait të nxënëses së tij në Pejë.

Në komunikatën për media nga Policia e Kosovës thuhet se tashmë është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve procedurale për hetimin e ndonjë lëshimi të mundshëm nga ana e zyrtarëve policor.

Gëzim Kastrati, 50-vjeç, u vra me armë zjarri dje, pak metra larg banesës së tij në Pejë. I dyshuari kryesor është Xhevdet Januzaj, ish- kujdestari i klasës së vajzës së viktimës në shkollën “Dardania” në Pejë.

Komunikata e plotë:

Lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të datës 18.05.2021, në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë ndërmarr veprimet e nevojshme operacionale dhe hetimore, dhe sot me datë 19.05.2021, rreth orës 20:15 ka rezultuar që i dyshuari për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” të lokalizohet nga organet e rendit dhe i njëjti ndodhet në ambientet e Policisë. Pas arrestimit të të dyshuarit të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në konsultim të plotë me prokurorinë kompetente për kompletimin dhe procedimin e mëtejmë të rastit në organet e drejtësisë.

Lidhur me ketë rast Policia e Kosovës ka njoftuar IPK-në për ndërmarrjen e veprimeve procedurale për hetimin e ndonjë lëshimi të mundshëm nga ana e zyrtareve policor.

Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale dhe sjelljen e kryerësve të këtyre veprave para drejtësisë, në të njëjtën kohë si institucion i zbatimit të ligjit jemi të vendosur që në bashkërendim me IPK-në, për çdo shkelje apo neglizhencë në detyrë nga zyrtarët policor të merren veprime dhe masa rigoroze në funksion të zbatimit të ligjit pa dallim.