Kapiteni i katalanasve

Messi e dëshiron rikthimin e Neymarit dhe Guardiolës te Barcelona

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi ka zbuluar se do t’i pëlqente rikthimi i Neymarit dhe Pep Guardiolës në “Camp Nou”.

Neymar u largua nga “Blaugranat” në verën e vitit 2017 për shifrën rekord të transferimeve për një futbollist, teksa Paris Saint Germaini shpenzoi plot 222 milionë euro për yllin brazilian.

26 vjeçari kaloi 4 sezone të suksesshme te Barcelona, duke fituar dy herë La Ligan dhe një herë Champions Leaguen, gjersa u raportua se qëllimi i largimit të Neymarit nga katalanasit kishte të bëjë me mbetjen nën hijen e Lionel Messit.

Ky i fundit do të dëshironte të kishte Neymarin sërish bashkëlojtar, pavarësisht se e pranoi që rikthimi i tij është i vështirë.

“E shoh të komplikuar, do të dëshironim rikthimin e Neymarit për shkak të rëndësisë që ai ka për klubin. Ne jemi shokë dhe kemi pasur kujtime të bukura së bashku. Por, PSG nuk do ta lejojë largimin e tij”, theksoi Messi.

5 herë fituesi i Topit të Artë e ka pranuar se do të kishte dashur të menaxhohet nga ish trajneri, Pep Guardiola, përkundër se tekniku aktual i Manchester Cityt pati thënë se rikthimi i tij te kampionët e Spanjës mund të ndodhte vetëm te Barcelona B.

“Do të më pëlqente të punoja sërish me Guardiolën edhe pse është e vështirë. Ai është një prej trajnerëve më të mirë në botë dhe për këtë arsye them se do të kisha dëshirë që të rikthehej”, përfundoi Messi.