Vdes kitaristi dhe punuesi i faqes se parë të KosovaPress-it, Valton Berisha, anëtari i rock bendit të njohur shqiptar të viteve 90-ta, “Purgatory”, Valton Berisha ka ndërruar jetë sot si pasojë e një sulmi në zemër.

Berisha gjatë luftës u angazhua me kontributin e tij si atdhetarë me fillimin e punës së KosovaPress-it në krijimin e faqes së parë të Agjencisë së lajmeve KosovaPress dhe mirëmbajtjen e faqes dhe serverit, duke u përballur gjatë gjithë kohës me sulmet nga hakerët serbë, kontribut të cilin e vazhdoi edhe për disa vite pas lufte.

Pas çlirimit të vendit, Valtoni u rikthye në Prishtinë për të kontribuar në hapjen e një shkolle të CISCO-s dhe më pas vazhdoi me punën e tij të dashur, programimin, duke shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të qenë një programues dhe biznesmen i suksesshëm dhe CEO i kompanisë “Concorn”. Kontributin e tij nuk e ndali asnjëherë në përkrahje softuerike të mediave siç është rasti edhe me Gazetën Infokus.

Pavarësisht punës, biznesit dhe sukseseve të tij, Valtoni nuk u largua asnjë herë nga pasioni për muzikën. Në 2019, me insistimin e tij dhe të shokëve të bendit “Purgatory” ata u rikthyen pas plotë 23 vjetësh për të performuar bashkë në rock koncertin e mbajtur në Prishtinë. Valton Berisha ka lënë pas vetes bashkëshorten Brikena Berisha dhe dy fëmijë, djalin Dorianin dhe vajzen Kleitan.