Mësohet se në “dosjet e dorëzuara” ishin edhe komunikimet e Prokurorisë Speciale me atë të Serbisë

Të martën e kësaj jave, një pako me rreth 4 mijë dosje është lënë në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person i panjohur cili ka mbuluar fytyrën me maskë dhe syze.

Në këto 4 mijë dosje gjenden emra të dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, dosje që  kanë të bëjnë me luftën e fundit në Kosovë dhe për çka po akuzohen ish-luftëtarët e UÇK’së në Gjykatën Speciale.

Sekretari i OVL UÇK’së, Faton Klinaku, tha se në dosjet që iu sollën në zyre të tyre kanë parë komunikime mes Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Serbisë për intervista që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës.

Mirëpo, Klinaku tha se këto intervistime në Serbi u bënë nën presion dhe sikur të mos përgjigjeshin do të mund edhe të vriteshin.

“Ka ripërsëritje të këtyre intervistave dhe ka komunikime të Prokurorisë Speciale me atë të Serbisë që me emra të këtyre dëshmitarëve kërkojnë t’i intervistojnë njerëzit. Janë të vitit 2008,2009, 2015 komunikime të vazhdueshme që kërkojnë t’i intervistojnë ata njerëz që i kanë intervistuar ata. Ka serbë dhe shqiptarë, romë dhe turq”, tha Klinaku në Klan Kosova.

“Ata vazhdimisht komunikojnë me prokurorinë e pushtuesit serb dhe dosjet jo vetëm të kësaj gjykate, por edhe të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë bashkëpunuar me Serbinë për t’i akuzuar ish-luftëtarët e UÇK-së. Çdo gjë që heton Serbia e dimë që e bën me qëllime të caktuara dhe ka shpifur për krime lufte. Kemi kërkuar që të ketë gjykatë vendore që ta bëjë këtë, por deputetët e kanë bërë një gabim të madh kur e kanë votuar Gjykatën Speciale. Ne kemi kërkuar që të ndryshohet ligji rreth kësaj gjykate që të heton të gjitha krimet e luftës”, tha Klinaku.

“I kanë sjellë vetëm me paketë dhe i kanë lënë në recepsion. Pastaj, ka ardhur punëtorja dhe shpejt na ka treguar se i ka sjellë dikush ato. Kryetari Gucati, nënkryetari Haradinaj dhe unë dolëm dhe thamë mos e prekni paketën sepse jemi frikësuar se mund të ketë diçka. Më pas ngadalë e kemi parë që ka dokumente. Rastin e kemi njoftuar menjëherë te mediat sepse vazhdimisht nuk i kemi besuar prokurorisë apo drejtësisë ndërkombëtare, prandaj kemi dashur ta njoftojmë popullin me këtë ngjarje që ka ndodhur”, tha Klinaku.

“Pastaj, hetuesit e Dhomave Speciale (katër zyrtarë civilë) kur kanë qenë në zyre iu kemi thënë se e kemi konsideruar si provokim, prandaj edhe e kemi njoftuar popullin. Tri kopje ia kemi dhënë mediave dhe një që e kemi ruajtur për Prokurorinë e Kosovës, ua dhamë atyre”, thuhet nga Klinaku.