Prishtinë

Mësohet identiteti i personave të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm

Personat e përfshirë në incidentin e mbrëmshem në Prishtinë, ku ka pasur edhe të shtëna me armë, janë pjesë e një grupi kriminal që kanë bërë plaçkitje në disa qytete të vendit.

Dy prej tre personave të përfshirë në incident janë arrestuar mbrëmë, deri sa i treti ndodhet në arrati. “Gazeta Blic” ka mësuar identitetin e tre të dyshuarve, ku njëri prej tyre është i afërm me Enver Sekiraqën. Fjala është për D.S. 35 vjeç.

Lajmin për arrestimin e dy personave në këtë rast e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Sipas Policisë rreth orës 21:00, përderisa policët në rroba civile kanë provuar të ndalojnë veturën e dyshuar VW Golf, ngjyrë e kuqe, me tre persona, të njëjtit kanë shpërfillur urdhrat e policisë për t’u ndalur, duke filluar ta godasin në vazhdimësi me veturën e tyre veturën e policisë në lëvizje dhe një nga ta ka drejtuar armën e zjarrit policëve të cilët në atë moment, duke vlerësuar rrezikun e drejtpërdrejtë për jetën e tyre kanë përdorur armën për të neutralizuar veprimet e rrezikshme të të dyshuarve që në ato çaste kanë mund të jenë fatale për jetën e policëve.

Ndërkohë që ka vazhduar ndjekja dhe është shtuar mbështetja policore, është bërë i mundur ndalimi i detyruar i veturës së dyshuar në lagjen “Përroi i Njelmët” në Prishtinë, si dhe kapja dhe arrestimi i dy të dyshuarve; S. M, 24 vjeç, si dhe D. S, 35 vjeç.I dyshuari i tretë N. S, 25 vjeç, ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është ne arrati“, ka thënë Hoxha për “Gazeta Blic”.

Personi që ndodhet në arrati, sipas zëdhënsit Hoxha, është i njohur për policinë dhe ka qenë edhe më herët në kërkim policor për raste të grabitjes dhe plagosjes të ndodhura kohë më parë.

Ndryshe, Përgjatë kontrollit të bërë veturës së dyshuar si dhe të dyshuarve të arrestuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar: Një revole të tipit Zoraki, të kalibrit 7.65 mm, me gjashtë fishekë, një thikë, një shufër metalike, një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë, si dhe disa telefona celular.

Dy zyrtar policor kanë marrë lëndime trupore përgjatë ndjekjes nga goditja e veturave, dhe të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit të arrestuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, përderisa vazhdon të jetë në kërkim policor i dyshuari i arratisur.