Mesmandati amerikan

Nga Leonard Demi

Një mesazh i qartë

Rezultatet e demokratëve në zgjedhjet e këtij mesmadati janë më të mirat të arritura nga partia që drejton vendin gjatë dy dekadave të fundit. Që nga epoka e Luftës Civile, zgjedhjet e mesmandatit i ka fituar gjithmonë partia në opozitë, me përjashtim të viteve 1934, 1998 dhe 2002. Në 1994, Bill Clinton humbi 52 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, kurse në 2010 Barack Obama humbi 63.

Ky mesmandat dëshmoi se ekstremizmi dhe paranojat politike mund të mënjanohen. Në shumë shtete, amerikanët e thjeshtë mbrojtën integritetin e demokracisë, duke mos votuar disa nga kandidatët më të njohur që trumbetonin të pavërteta për zgjedhjet e vitit 2020 dhe kërcënonin se do të injoronin vullnetin e elektoratit.

Këto zgjedhje treguan se qytetari amerikan, sot, kërkon një qeveri që ta mbështesë dhe të luftojë për familjet që punojnë. Votuesit shpërblyen demokratët sepse gjatë pandemisë ata u mbrojtën jetën; lejuan Medicare-in (sigurimi federal shëndetësor) të negociojë çmime më të ulëta për barnat, duke detyruar korporatat, që shmangin taksat, të paguajnë miliarda dollarë; po modernizojnë infrastrukturën, po reduktojnë shpenzimet e shërbimeve; falën borxhin e studentëve, nga i cili përfitojnë mbi 40 milionë amerikanë dhe po marrin masa kundër ndryshimeve klimaterike, gjë që motivoi të rinjtë të votonin me një pjesëmarrje gati rekord.

Fitorja e Senatit i jep mundësi Presidentit Biden të promovojë magjistratë në masë. Deri tani, janë konfirmuar 84 gjyqtarë federalë dhe 25 gjyqtarë të gjykatave të Apelit. Diversiteti në radhët e tyre është i pashoq: 75 për qind janë gra, 25 për qind janë afrikano-amerikanë (përfshirë Ketanji Brown Jackson të emëruar në Gjykatën e Lartë në qershor të këtij viti) dhe 17 për qind janë hispanikë. Pos autoritetit për të miratuar emërimet e Presidentit, shumica në senat u ofron demokratëve mundësinë të vendosin për çdo ligj federal.

Në këtë mesmandat, republikanët prisnin një “valë të kuqe”, që do të shtrihej në të gjithë vendin, por rezultati qe një zhgënjim i madh si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ku siguruan një shumicë të lehtë (sot 220 me 213).

Vota shprehu qartë dëshirën për stabilitet në një kohë trazirash dhe mënjanoi kandidatë, që nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, si: në Arizona, Alaska, Gjorgia (në primare), Meriled, Masaçusets, Miçigan, Minesotë, Nevadë, Nju Hempshajr, Pensilvani, Uisconsin dhe gjetkë.

Strategia politike republikane, Sarah Longwell, thotë se votuesit e pavarur dhe të luhatshmit shpesh flisnin kundër kandidatëve që nuk njohin zgjedhjet e 2020, pavarësisht se ankoheshin për situatën ekonomike. Sidoqoftë, republikanët e sotëm, nën shembullin e dishepujve të tyre, si: Ronald Reagan, Gerald Ford, Everett Dirksen, që patën guximin të spastronin radhët e tyre nga shoqata e urryer John Birch, do të mënjanojnë shfaqet ekstremiste, supremaciste, teoritë konspirative paranojake që kërcënojnë besueshmërinë dhe të ardhmen e tyre dhe të vendit të tyre të madh, që ka lindur për të udhëhequr. Tri ditë më parë, këtë shembull e dhanë mjaft personalitete republikane, si: Mike Pence, Mike Pompeo, Mitch McConnell, etj., të cilët dënuan publikisht idetë nacionaliste, raciste dhe supremaciste, duke thënë se ato nuk kanë vend fare në shoqëri.

Gjenerata Z

Një risi tjetër e mesmandatit ishte sjellja e atij brezi të rinjsh, që emërohet si Gjenerata Z (të lindurit ndërmjet 1997 dhe 2012), e cila është e lidhur ngushtë me teknologjinë digjitale, e varur nga ndërlidhja, pragmatike, mendjemprehtë, progresive dhe e arsimuar shumë mirë. Këta votues, ithtarë të çështjeve dhe jo të partive politike, mbështetën kandidatët, që premtuan të trajtojnë dukuritë, që i interesojnë më shumë kësaj gjenerate, si: ndryshimet klimatike, luftën kundër dhunës të armëve, të drejtat riprodhuese, shfaqjet racore, të drejtat e LGBTQ, gjë që ndihmoi të mënjanohej vala e kuqe.

Kjo gjeneratë pati edhe kandidatët e vet, siç është rasti i Maxwell Alejandro Frost, 25 vjeç, që u zgjodh në Florida dhe me të cilin zë fill Amerika e së ardhmes.

Kongresi i ri

Kongresi i ardhshëm quhet i çalë se partitë drejtojnë vetëm nga një dhomë. Në historinë e zhvillimit të demokracisë amerikane, këto lloj kongresesh kanë miratuar ligje, që i kanë qëndruar kohës, si: “Akti i të Drejtave Civile” më 1875 apo “Akti i Privatësisë” më 1974, të cilët janë shembuj bashkëpunimi të ngushtë të shumicës dhe opozitës në të mirë të kombit. Inkurajues është fakti që disa ditë më parë, ligjvënësit republikanë bashkë me kolegët demokratë miratuan një projektligj, që shmang grevën hekurudhore, e cila do të paralizonte rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Sidoqoftë, në Uashington, sot presin zgjidhje edhe disa probleme të tjera me peshë të rëndë:

Mënjanimi i rreziku të një rënieje ekonomike katastrofike. Kongresi duhet të miratojë shpejt rritjen e tavanit të borxhit (të lejojë qeverinë të marrë më shumë hua). Nëse votimi shtyhet për në Kongresin e ardhshëm, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, për të detyruar Shtëpinë e Bardhë të pranojë reduktimin e shpenzimeve, mund të kërcënojnë me mosmiratim, duke rrezikuar një krizë financiare. Kryeekonomistja amerikane, Drejtoresha e Përgjithshme e Standard & Poor’s, Beth Ann Bovino, thotë: “Në qoftë se qeveria amerikane nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhin, rënia ekonomike do të ishte më e keqe se ajo e vitit 2008”. Qeveria pritet të arrijë kufirin e huamarrjes në vitin 2023, më pas ajo nuk do të jetë në gjendje të marrë hua, si rrjedhim, nuk do të mund të paguajë borxhet. Efektet do të ishin me pasoja rrënuese si brenda dhe jashtë vendit.

Lufta kundër agresionit rus. Kongresi ka për të miratuar ndihmën ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën. Në Uashington janë optimistë se një paketë e re do të miratohet, edhe pse një grup përfaqësuesish nga të dy krahët e kanë vënë në pikëpyetje këtë ndihmë shumëmiliardëshe. Ndërprerja do të ishte katastrofike, veçanërisht, tani, kur forcat ukrainase sapo i kanë zmbrapsur rusët nga qyteti i Khersonit, duke treguar se mund të përdorin me efikasitet armatimet amerikane. Kostoja e bllokimit të përpjekjes të zotit Putin për të rivizatuar hartën e Evropës me forcë është shumë më e vogël se kostoja e pushtimit të Ukrainës. Dështimi për të përballuar agresionin e Kremlinit do të nxiste më shumë agresione, të cilat do të shkaktonin dhimbje të mëdha te qytetarët amerikanë dhe evropianë.

Forcimi i demokracisë. Kongresi duhet të kalojë amendimet dhe rregullimet, që i janë bërë ligjit mbi procedurat e numërimit të votave, i njohur si “Akti i Numërimit të Zgjedhjeve”, miratuar 135 vjet më parë, i cili është plot me dispozita konfuze dhe të paqarta, që mund të shkaktojnë krizë. Varianti i përmirësuar fuqizon gjykatat federale për të mbikëqyrur dhe për të vënë nën kontroll ata që mund të tentojnë të përmbysnin procesin demokratik. Ndryshimet e rëndësishme në ligj e bëjnë shumë më të vështirë, nëse jo të pamundur, mbështetjen te disa skema që përdoren për të përmbysur zgjedhjet dhe për të mbajtur pushtetin.

Demokratët kanë një listë të gjatë qëllimesh të tjera, por një nga më të rëndësishmit është edhe projektligji për emigracionin, i cili rrit ndjeshëm kapacitetin e qeverisë për të përpunuar kërkesat për azil; lejon të qëndrojnë të sigurt në Shtetet e Bashkuara ata që persekutohen në vendet e tyre dhe e bën ende më të vështirë për ata, që nuk kanë çështje legjitime për t’u sistemuar në Amerikë.

Komisione hetimore dhe mbikëqyrje

Republikanët, edhe pse kanë fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, nuk mund të miratojnë ligje, por mund të ngrenë komisione hetimore dhe të ushtrojnë mbikëqyrje parlamentare. Çështjet, për të cilat do të kërkojnë të ngrenë komisione hetimore apo të ushtrojnë mbikëqyrjen, mund të jenë këto:

Kufiri: Shumë republikanë duan të fajësojnë Sekretarin e Sigurisë së Brendshme për të treguar se politikat e imigracionit të administratës Biden nuk ndryshojnë nga ato të administratës Trump.

FBI dhe Departamenti i Drejtësisë: Republikanët po planifikojnë të hetojnë “politizimin” e pretenduar të Departamentit të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.

IRS: Republikanët synojnë të godasin buxhetin e Agjencisë të Mbledhjes së Taksave me pikësynim Aktin e Reduktimit të Inflacionit.

Pandemia Covid-19: Republikanët janë të etur të hetojnë origjinën e koronavirusit dhe mundësinë e përhapjes së tij nga një laborator kinez. Qëllimi i tyre i vërtetë duket të jetë krijimi apo forcimi i idesë të një komploti të gjerë, gjë që do të implikonte Anthony Faucin, për të cilin ata shpesh thonë se duhet të burgoset apo edhe të ekzekutohet. Ndoshta, edhe Këshilltari kryesor i administratës Biden për pandeminë do të jetë në shënjestrën e hetimeve.

Afganistani: Pyetjet që do të ngrenë republikanët janë: Pse ushtria dhe agjencitë e inteligjencës amerikane e mbivlerësuan aftësinë e qeverisë afgane për të ushtruar kontroll mbi vendin pa praninë amerikane? Si mund të ishte kryer tërheqja më mirë etj.?

Hanteri: Djali i Presidentit Biden do të jetë më shumë se një objekt hetimi. Republikanët do të përpiqen ta kthejnë atë në qendër të goditjeve të tyre.

Për sa u përket mbikëqyrjes parlamentare, republikanët do të venë në shënjestër administratën e Presidentit Biden. Ky aktivitet i domosdoshëm i sistemit amerikan (check and balance) mund të përdoret për mirë ose për keq, d.m.th.: të zbulojë të vërtetat, që publiku duhet të dijë ose të rritë tensionet për përfitime politike.

Përfaqësuesit republikanë si Marjorie Taylor Greene (GA) apo Kevin McCarthy (CA) kanë paralajmëruar se do të mbikëqyrin me kujdes të madh ndihmën e gjerë ushtarake, që administrata Biden i ka dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga agresioni i imperializmit rus. Megjithatë, Departamenti i Shtetit, ashtu edhe Pentagoni, kanë hartuar plane që armët amerikane të shkojnë në duar të sigurta. Në këtë kontekst, ekspertët paralajmërojnë se ka kufizime të besueshme për të përftuar një llogari hermetike të të gjitha armëve, që i janë dhënë Ukrainës, gjë që do të lë të pakënaqur kritikët më të ashpër të Presidentit Biden.

Ripërtëritje

Së fundi, ky mesmandat i hapi rrugën një brezi të ri të udhëheqë partitë politike në Shtetet e Bashkuara. Partia Demokrate po lëviz me shpejtësi. Pardje, Përfaqësuesi Hakeem Jeffries, 52 vjeç nga Nju Jorku, u zgjodh unanimisht kryetar i grupit të përfaqësuesve demokratë. Ai është politikani i parë me ngjyrë, që do kryesojë një grup parlamentar gjatë gjithë historisë të Kongresit amerikan. Po kështu, Gretchen Whitmer, 51 vjeç, Guvernatorja demokrate e Miçiganit, e rizgjedhur me një diferencë dyshifrore (11 për qind), mund të jetë një nga kandidatët demokratë në zgjedhjet presidenciale të 2024, në qoftë se Presidenti Biden nuk do të kandidojë.

Në kampin republikan, në qendër të vëmendjes është rizgjedhja e bujshme e Guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, me një diferencë prej 19 për qind. Kjo fitore mbresëlënëse e Guvernatorit 44-vjeçar të diplomuar në Harvard dhe Yale e bën sfiduesin më të fortë të mundshëm të ish-Presidentit Trump, nëse të dy do të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.