Mësimi online në distancë, ministria me grup të ekspertëve për vlerësimin e nxënësve

Ka tri javë që ka filluar të mbahet mësimi në distancë me vendim të Ministrisë së Arsimit Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), me qëllim parandalimit të përhapjes së Coronavirusitit.

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj në një intervistë, tha se mësimi në distancë ka tejkaluar pritshmërinë e tyre dhe po del të jetë shumë i suksesshëm.

“Mësimi në distancë ka filluar thuajse që 3 javë, informacionet e para që i kemi prej komunave prej agjencive tona tregojnë për një përfshirje të konsiderueshme, mbi 90% të fëmijëve dhe të mësimdhënësve në këto aktivitete”.

“Reagimi përgjigjja e institucioneve dhe punëtorëve arsimorë ka qenë  përtej pritshmërie tona, edhe si aspekt sasiore dhe cilësore. Edhe orët që i kemi përgatitur online që po jepen në RTK dhe në platformën tonë në YouTube dhe E-platformën që do të hapet tash kanë arritur në një nivel më të lartë se që e kemi menduar”.

Rexhaj shprehet se tashmë kanë filluar mësimin edhe në gjuhën turke dhe boshnjake kurse në gjuhën serbe nuk kanë hasur në gatishmërinë e drejtorive të këtyre komunave.

“Ne jemi të obliguar të organizojmë mësimin e detyruar 1 deri 9 për të gjitha komunitetet në Kosovë  në të gjitha gjuhët mësimore, ka filluar implementimi i mësimit në gjuhën turke dhe boshnjake ku incizimet organizohen në Prizren, mirëpo edhe për shkollat e mesme është kërkuar të fillojë ato që punojnë me korikulat e tona”.

“Sa i përket shkollave që mësojnë në gjuhën serbe, ne u jemi drejtuar drejtorëve të arsimit në këto komuna që të na dërgojnë emrat e mësuesve të cilët do të përfshiheshin në mësimin në distancë, deri tash kemi pasur disa reagime, por nuk janë reagime substanciale. Ministria është shumë e gatshme t’i përfshijë të gjitha shkollat në Kosovë në këtë proces”.

Rexhaj theksoi se sa i përket vlerësimit kanë krijuar një grup të ekspertëve për këtë çështje dhe brenda ditëve do tu dërgohet mësimdhënësve se si t’i vlerësojnë nxënësit.

“Në rend të parë është ruajtja e njerëzve në këtë funksion është edhe mbyllja e shkollave që njerëzit të ruhen të mos shpërndahet virusi. Qëllimet e mësimit në distancë janë të realizohet sa të jetë e mundur korrikula shtetërore, që të strukturohet koha e fëmijëve në familje dhe që të ruhet popullata”.

“Në këtë qëllime nuk është element substancial vlerësimi, mirëpo ne do ta trajtojmë, sot ministria e ka themeluar një grup të ekspertëve të cilët brenda 3 ditëve do ta finalizojnë udhëzuesin për vlerësim i cili do të përdoret nga mësimdhënësit. Mund të them qysh tash se vlerësimi nuk do të jetë i tillë që të i stërngarkojë as fëmijët as prindërit e as mësimdhënësit”.

“Funksioni i parë i mësimit në distancë është që jo fëmijët të mësojnë sa më shumë e jo t’i ngarkojmë tash me teste sepse nuk është koha t’i ngarkojmë as fëmijët as prindërit me ndonjë rezultat me ndonjë test”.