Mësimdhënësja humb orë mësimore në Gjimnaz shkaku i fushatës: Akuza të rënda nga prindërit

Profesoresha e Gjimnazit Frang Bardhi, Arjeta Fejza, po kandidon për deputete nga Vetëvendosje. Dhe, përkundër vendimit të Ministrisë së Arsimit që ora mësimore të zgjas 30 minuta gjatë pandemisë, drejtoresha e kësaj shkolle, Zybejde Gogoli Latifi kërkon mësim për 40 minuta.

Një prind ka folur për portalin Lajmi duke thënë se në këtë gjimnaz nxënësit po humbin mësimin edhe shkaku i fushatës parazgjedhore.

“Profesoresha e filozofisë në këtë shkolle Arjeta Fejza, kandidate për deputete në VV, humb orë të tëra duke mbajtur fushatë parazgjedhore të cilat edhe i poston në faqen e vet në FB me datë e kohë të saktë mu në kohën kur është dashur të jetë në mësim. Fëmijët tanë po humbin mësim për qëllime politike të profesorëve të kësaj shkolle përderisa drejtoresha e shkollës në fjalë e kalon në heshtje edhe këtë hap duke thyer rregullat”, tha ky prind mitrovicas.

Madje, ai ka hedhur akuza edhe më të renda në drejtim të drejtoreshës së shkollës.

“Gjatë gjysëmvjetorit të parë, e njëjta drejtoreshë ka fshehur vazhdimisht numrin e saktë të të infektuarve me Covid si nga ana e nxënëseve po ashtu nga ana e profesorëve. Lidhur me parregullsitë e kësaj shkolle dhe manipulimet e njëpasnjëshme që rrjedhin nga kjo drejtoreshë ,kjo shkollë vlen shumë të hetohet , të publikohen këto të dhëna pasi që posedojmë edhe fakte për të gjitha”, shtoi tutje ai.