Mesazhi i Agim Veliut për opozitën: Kur t’i siguroni votat, hajde e rrëzona në Kuvend

Deklaratat e opozitës së do të nisin mocion për rrëzimin e Qeverisë Hoti, nuk po i bëjnë përshtypje ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu në një bisedë për Gazeta Blic, u drejtohet opozitarëve me fjalët: kurdo që t’i siguroni votat, sjellna mocionin në Kuvend dhe rrëzone Qeverinë.

Në deklaratën e tij, Veliu injoron deputeten Mimoza Kusari – Lila, për të cilën thotë se nuk ia vlen të merret.

“Me deklarata të Mimoza Kusarit nuk ia vlenë me u marrë. Nuk më intereson mu ajo punë fare a i ka votat opozita a si ka, kur t’i kanë votat le ti çojnë në Kuvend. Kuvendi vendosë”, tha Veliu.

Gjatë ditës, deputetja opozitare, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se kur të vijë mocioni i mosbesimit në Kuvend, shumica do të votojnë pro rrëzimit të Qeverisë, duke shtuar se vetëm disa deputetë të LDK-së, do të votojnë kundër.

“Natyrisht se mbetet aktuale kërkesa jonë për mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e qeverisë apo mosbesimin e Qeverisë Hoti. Por do të rishikohet në javët në vijim ripozicionimi ynë si Grup Parlamentar, në kuptimin e organizimit dhe marrjes së mbështetjes dhe nga deputetë të tjerë të gatshëm për të rrëzuar Qeverinë Hoti. […] Nuk mund të mohoj, as pohoj në këtë moment dhe këto rrethana. Por besoj që mund të ketë mjaftueshëm deputetë të shumicës shqiptare, por edhe pakicave të tjera për të ftuar seancën fillimisht, e më pastaj për të votuar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Hoti. Po mendoj se kur arrihet ajo pikë mund të mbeten vetëm disa deputetë të LDK-së që do të mbështetin këtë qeveri, ashtu siç po shihet dallimet po thellohet edhe ndërmjet partnerëve qeverisës, por edhe partitë që e kanë mbështetur”, kishte thënë Kusari-Lila.