BIK

Mes kundërshtimeve e përkrahjeve, Tërnava synon edhe mandatin e katërt në krye të BIK-ut

Pas 13 viteve në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava është në kërkim të mandatit të tij të katërt në krye të BIK-ut. Bazuar në Kushtetutën e këtij institucioni, atij nuk i ndalohet që të rikandidojë përsëri për kryetar.

Ndryshimet në fjalë, Tërnava i kishte inicuar para marrjes së mandatit të tretë si kryetar i BIK-ut, shkruan lajmi.net.

E megjithëse Tërnava siç duket nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga pozita e kryetarit të Bashkësisë Islame, individët që kundërshtojnë rikandidimin e tij nuk ka qenë asnjëherë më të shumtë.

Sipas teologut, Mustafa Bajrami, Bashkësia Islame ka nevojë për një frymë të re në strukturën e saj.

Ai për lajmi.net thotë se është rrënuar institucioni i Bashkësisë Islame.

“Jam për me ardhur dikush tjetër, jam për me ardhur një strukturë e re dhe një energji e re, ma së shumti për një frymë të re. S’janë shumë me rëndësi njerëzit sa është me rëndësi fryma jo ngulfateshe. Është ngufatë, është topitur dhe është rrënuar institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës”, tha Bajrami.

Cilësim shumë më të ashpër për Naim Tërnavën pati imami nga Drenasi, Osman Musliu.

Ai përmes një postimi në Facebook, Tërnavën e kishte quajtur “Tito” i Kosovës, duke i krahasuar zgjedhjet në këtë institucion me ato në ish-Jugosllavi.

“Naim Tërnava është ‘Tito i Kosovës’, prandaj nuk e kam ndërmend të merrem me zgjedhjet e Titos së vogël. Ju qoftë për hajr atyre që e sollën Tërnavën në fillim edhe e shndërruan në Tito apo Kral te BIK-ut”, shkruante Musliu.

Megjithë këto kundërshtime, ka edhe të atillë që Tërnavën e konsiderojnë si njeriun më të denjë për të udhëhequr Bashkësinë Islame.

Në kushte anonimiteti, imamë të njohur për publikun i kanë thënë lajmi.net  se përkrahin kandidaturën e Tërnavës në këtë post, mirëpo duke iu referuar një udhëzimi administrativ të BIK-ut që ata përmendin, nuk kanë të drejtë të prononcohen individualisht për këto tema.

I distancuar nga këto polemika po qëndron kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame, Ajni Sinani.

Sinani tha sot për lajmi.net se megjithë mendimet e ndryshme, votat do të vendosin se a do të qëndrojë apo jo në krye të BIK-ut edhe për një mandate myftiu Tërrnava.

Megjithatë, shton ai në një shoqëri demokratike secili ka të drejtë të japë mendimin e vet lidhur me individë të caktuar.

“Gara është e hapur dhe votat do të vendosin se kush do të fitojë.  Në fund të muajit kemi zgjedhjet dhe aty do të vendoset. Jemi në një shoqëri demokratike ku ka mendime të ndryshme, mirëpo megjithatë, vota është ajo që do të përcaktojë se kush do të jetë në krye të BIK-ut”, tha Sinani për lajmi.net.

Myftiu i Kosovës, që udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë, ka mandat 5 vjeçar. Deri më tani nuk është bërë zyrtare asnjë kandidaturë për të parin e Bashkësisë Islame.