Lajmi i fundit
Merret vendimi: Ambasadorët e BE-së i japin dritën jeshile liberalizimit
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.
Sipas dokumentit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.
Pse lidhet procesi i vizave me sistemin ETIAS?
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL/