Mero Baze: Ku e ka bazën racizmi për shqiptarët e Kosovës

Në emisionin “Tiranë Prishtinë-Ku gabuam” mysafir ishte gazetari mero Baze, i cili i përket brezit të parë të gazetarëve të pluralizmit në Shqipëri që nis pas vitit 1990.

Prej fundit të vitit 1993 ai kishte filluar punë pranë gazetës Rilindja – gazetë e Kosovës që botohej në Tiranë dhe po e prekte Kosovën nga Tirana me komente dhe opinione politike.

Mero Baze ka botuar dy libra, “Shqipëria dhe lufta në Kosovë” dhe “Rambuje, mosmarrëveshjet për paqe”, në të cilat trajton preokupimin e madh shqiptar të kohës, luftën e Kosovës për çlirim.

Shqiptarët, të mbërthyer zakonisht brenda tranzicioneve absurde, janë gjendur në kontekste të ndryshme politiko-historike dhe madje kanë krijuar përjetime të pavarur nga njëri-tjetri dhe për pasojë perspektiva dhe histori të ndryshme, për të njëjtat ngjarje.

Duke folur rreth marrëdhënieve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, Mero Baze thotë se si fillim duhet të kemi parasysh historinë dhe gjeografinë.

Ndërsa tregon “simptomat” që kanë sjellë paqartësi mes shqiptarëve, Baze shpjegon se ne kemi jetuar të ndarë nga shqiptarët e Kosovës së paku gjatë 100 viteve të fundit, ndërsa shton se nuk duhet të harrojmë që jemi shoqëri primitive, jo mendje hapura.

Duke folur për rastin e ish-ministres së Arsimit Besa Shahinit, Baze thotë:

“Besën se kam takuar asnjë herë. E kam marrë si tipologji për shkak të vështirësive që ka shoqëria shqiptare për të integruar vlera apo individë e mendësi kulturore të Kosovës. Është një proces i vështirë difuzioni mes dy shoqërive.”

Por, ku e ka bazën racizmi shqiptar?

Mero Baze shpjegon se ky mentalitet vjen nga moskomunikimi.

“Janë shoqëri që janë rritur e zhvilluar ndaras nga njëra-tjetra. Me një iluzion për njëra-tjetrën jo me një vështrim realist. Ne kemi pasur iluzionet tona për Kosovën dhe Kosova, super iluzionet për ne..Ne jemi shoqëri primitive, dhe kjo është një arsye shumë e fortë.”

Shkak për racizmin shqiptar, sipas Mero Bazes ka qenë edhe politika.

“Ekziston një ndjenjë bezdie, të paktën në vitet ’90 ndaj të të quajturës frymë kosovare në Shqipëri. Mendoj se shkaku kryesor ka qenë politika. Identifikimi politik i Kosovës në Shqipëri me një faktor politik, gjithnjë formon një frymë anti-kosovare. Njëlloj siç mund të ndodhë në Kosovë. Në vitet ’90 identifikimi me Sali Berishën, krijuan në shoqëri një lloj bezdie.”

Megjithatë, Mero Baze thekson se ajo që ndodhi gjatë kohës së eksodit, ishte një mrekulli. Kishte zero racizëm vetëm frymë bashkëpunimi.

“Në ’99 në pushtet ishte e majta dhe mikpritja ishte maksimale…E majta tani e kishte përgjegjesi këtë punë. Kur ndodhi komunikimi kishte zero racizëm. Fakti që askush nuk e përdorte dot politikisht, ishte një gjë shumë e rëndësishme. Ishte fiks ajo fatkeqësi e cila, ai bashkim i dhunshëm, që shmangu çdo keqkuptim…”