Merkeli shkarkon ministrin që shkaktoi skandal

Paqartësitë në politikën gjermane shkaku i skandalit me zgjedhjen e liderit të qeverisë së rajonit të Thyringenit, janë shtuar edhe më shumë gjatë fundjavës.

Me kërkesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, Christian Hirte, Ministër për shtetet e reja gjermane dhe Sekretar shtetëror për energji dhe ekonomi, është shkarkuar nga postet shkaku i përfshirjes në skandalin politik, raporton Reuters.

Hirte, me “Twitter” ka uruar Thomas Kemmerich për zgjedhjen në postin e liderit të qeverisë. Për këtë sukses, lideri i liberalëve u ndihmua nga partia neo-naziste, Alternativa për Gjermaninë. Fitorja e tij me përkrahjen e partisë djathtiste, ka shkaktuar tërmet politik në Gjermani.

Kancelarja Merkel ka deklaruar se zgjedhja e Kemmirch është vendim i pafalshëm.

Hirte, anëtar i CDU-së së Merkelit, në “Twitter” ka shkruar se partitë kanë nxjerrë kandidatin më të mirë për t’i prirë qeverisë së Tyringenit, transmeton KTV.

I menjëhershëm ka qenë reagimi ndaj këtij urimi. Të gjelbrit kanë deklaruar se formimi i paktit me nazistët dhe urimet për ata, janë turp për Gjermaninë.

E koalicioni qeverisës të cilit i prin Angela Merkel, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Tyringen, pasi Kemmirch dha dorëheqje nga posti i ri. Ai u bë shefi i parë i një qeverie shtetërore të Gjermanisë, që vjen në pushtet me përkrahjen e partisë neo-naziste.

Deri më tani, asnjë parti nuk ka preferuar partneritetin me Alternativën për Gjermaninë.