Merkeli kërkon nga gjermanët që t’i respektojnë masat e reja

Kancelarja Angela Merkel, të shtunën u ka bërë thirrje gjermanëve që të respektojnë masat e vendosura në zonat me mesatare të lartë të infeksionit.

Kancelarja ka thënë se ashpërsimi i masave ishte i nevojshëm për të parandaluar valën e tretë të infeksioneve me koronavirus.

Dy dhomat e parlamentit gjerman i miratuan amendamentet e ligjit, për t’i dhënë më shumë pushtet qeverisë federale që ta luftojë valën e tretë të pandemisë.

Merkeli e nisi këtë ligj, pasi 16 shtetet federale të Gjermanisë, refuzuan të ashpërsonin masat, përkundër ngritjes së madhe të rasteve me Covid-19.

Si shumë shtete evropiane, Gjermania ka dështuar ta parandalojë valën e tretë të pandemisë, kryesisht për shkak të variantit britanik të koronavirusit, por edhe procesit të ngadaltë të vaksinimit.