Pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi Sirinë, krerët e Turqisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë janë bërë bashkë rreth një vizioni për hapat e pajtimit në vendin e shkatërruar nga lufta gjatë takimit në Stamboll.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili priti bisedimet, u bashkua me Vladimir Putin, Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Pas samitit, të katër udhëheqësit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp dhe lëshuan një komunikatë, duke theksuar se çfarë themeli të përbashkët kishin gjetur gjatë bisedimeve me katër drejtime.
Të katër janë të bindur se ekziston vetëm një zgjidhje politike për Sirinë duke “shprehur mbështetjen e tyre për një proces politik gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga Siria dhe sirianët, që lehtësohet nga Kombet e Bashkuara”.
Ata gjithashtu kanë ndarë të njëjtin mendim sa i përket kundërshtimit të një ndarje të Sirisë.
“Siria duhet të vazhdojë të ekzistojë brenda kufijve të saj para luftës. Prandaj, çdo lëvizje separatiste ose dëshira e fuqive të huaja për të zënë pjesë të vendit, prandaj janë refuzuar në mënyrë të vendosur. Një komision i ngarkuar me hartimin e një kushtetute të re për Sirinë duhet të fillojë punën sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht para fundit të këtij viti”, argumentojnë katër liderët.
Sipas tyre, Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare duhet të forcojnë furnizimet me ndihma në vendin e shkatërruar nga lufta dhe t’i hapet dalë ngadalë refugjatëve, rruga për t’u kthyer në Siri, ndërkohë që në vend do të mbahen zgjedhje të vëzhguara nga ndërkombëtarët.
Siria duhet të vazhdojë të ekzistojë brenda kufijve të saj para luftës. Prandaj, çdo lëvizje separatiste ose dëshira e fuqive të huaja për të zënë pjesë të vendit, prandaj janë refuzuar në mënyrë të vendosur.
Ndërkohë, presidenti turk Erdogan ka thënë se sikurse në perëndim të Eufratit, do të vazhdojnë të eliminojmë në thelb kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Turqisë edhe në lindje të tij.
“Turqia nuk do të tolerojë rritjen e grupeve terroriste as pranë kufirit të saj, e as në ndonjë rajon tjetër të Sirisë”, ka thënë Erdoğan, duke theksuar se operacionet antiterroriste të Turqisë në veri të Sirisë kanë mundësuar kthimin e mbi 260 mijë sirianëve në shtëpitë e tyre.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se “janë formuar kushtet e favorshme që në Siri të kthehet paqja”.
Ai më tej ka theksuar se populli i Sirisë duhet të përcaktojë vetë fatin e vet.
“Për avancimin e shpejtë në terren të zgjidhjes politike në Siri, do të përpiqemi që në këtë proces të përfshijmë përfaqësuesit sirianë të cilët tregojnë qëndrim konstruktiv. Së pari duhet të fillojmë punimet për komitetin kushtetues në Gjenevë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Macron e ka përqëndruar vëmendjen te armët kimike, duke thënë se përdorimi i tyre si në rajonin e Sirisë ashtu edhe në vendet tjera të botës, nga kushdo qofshin ato, “nuk mund të pranohet”.
Sa i përket kancelares gjermane Merkel, ajo u ndal te kriza e refugjatëve duke thënë se “për kthimin e njerëzve nevojitet një zgjidhje politike në Siri”.
“Nuk duam që miliona persona në Siri të hidhen përsëri në rrezik”, ka thënë Merkel.







