Merkel planifikon “mega-izolim” pas numrit rekord të të vdekurve nga COVID-19

Gjermania ka regjistruar numër rekord të të vdekurve nga COVID-19 të enjten, duke nxitur thirrje për izolim më të shtrënguar.

Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar “mega-izolim”, ka shkruar gazeta Bild, duke mbyllur vendin pothuajse tërësisht për shkak të frikës nga përhapja e shpejtë e variantit të ri të virusit i identifikuar në Britani.

Ajo ka konsideruar masa, përfshirë mbylljen e transportit lokal dhe atë të distancave më të largëta, edhe pse hapa të tillë ende nuk janë vendosur, shkruan Bild. Megjithatë, burime të Reutersit thanë se autoritetet shtetërore po insistojnë për masa më strikte.

Në një tubim partiak, Merkel bëri thirrje për “veprim shumë të shpejtë” kundër përhapjes së mutacionit të virusit.

Instituti Robert Koch ka raportuar për 25,164 raste të reja me koronavirus dhe 1,244 të vdekur, duke e çuar totalin e të vdekurve në 43,881.