Merkel: Koronavirus reagon në mënyrë më agresive në temperatura të ulëta

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se koronavirusi reagon ndryshe dhe në mënyrë më agresive në temperatura të ulëta dhe për këtë Gjermania është dashur të reagojë me kufizime të reja në jetën publike për të mbrojtur sistemin shëndetësor, shkruan agjencia Reuters. 

“Ne nuk mund ta lejojmë që kjo përhapje rapide ta mbingarkojë sistemin tonë shëndetësorë”, ka thënë Merkel në konferencë për media.

Ajo ka shtuar se numri i personave të shtrirë në kujdesin intensiv në 10 ditët e fundit është dyfishuar, ndërsa ka shtuar se duhet të arrihet te situata ku mund të gjurmohen kontaktet.

Kancelarja gjermane ka shtuar se vendi tash është më i përgatitur për koronavirusin sesa në pranverë dhe se pret aprovimin e një vaksine në muajt në vijim.

“Nuk mund të them se do t’i kthehemi jetës siç e kishim para koronavirusit në dhjetor”, ka thënë Merkel.

Por ajo ka shtuar se nëse masat që ka ndërmarrë vendi funksionojnë, atëherë Gjermania mund ta ketë një dhjetor të përballueshëm.

Në 24 orët e fundit në Gjermani janë regjistruar 12.097 raste të reja me koronavirus.