LAJMI I FUNDIT

Mërgimtarit i digjet vetura në Prizren në vlerë 43 mijë franga zvicerane

Një veturë është përfshirë nga zjarri të mërkurën në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se vetura “Mercedes GLA” me targa zvicerane është djegur tërësisht, pavarësisht se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve.

Sipas Bytyqit, ngasësi i veturës ka deklaruar se dëmi i shkaktuar ka vlerën rreth 43.000 franga zvicerane.

“Sot më datë 20.03.2024 rreth orës 18:40 një qytetar raporton në Polici se përderisa ishte duke ngarë automjetin e tij ‘Mercedes GLA’ i vitit 2018, me targa zvicerane, papritur heton tym dhe një ere benzine në automjetin e tij. Ndalon për ta shikuar problemin dhe në atë moment automjetin e ka kapluar zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për rastin është njoftuar prokurori dhe është iniciuar “incident zjarri”.