Mërgimtari që ndihmoi policët të largohen nga Veriu, pas sulmit nga kontrabandistët! (Audio)

Orët e mbrëmjes së 16 korrikut kanë qenë kritike për disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët janë përballur me një grup të kontrabandistëve.

Rasti ka ndodhur në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviqit. Siç ka njoftuar Policia e Kosovës përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile.

“Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejt të Policisë Kufitare në asistencë të njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të Magjistrales Mitrovice-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar. Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen.

Zyrtarët policorë me qëllim të ruajtjes së jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, ruajtjes së pronës si dhe zbatimit të ligjshmërisë kanë vazhduar me përcjelljen e kamionit, duke sinjalizuar gjatë gjithë kohës me alarm dhe rotacion si dhe me drita të gjata të automjetit që të ndalohet, mirëpo i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e dhëna dhe ka vazhduar në drejtim të magjistrales Mitrovicë –Jarinje, duke zhvilluar gjatë gjithë kohës shpejtësi shumë të madhe dhe duke rrezikuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke përdorur edhe armën zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me të përfunduar aksionin, “Gazeta Blic” merr vesh se dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë shfrytëzuar një veturë private për t’u larguar nga pjesa veriore e vendit.

Është Ramiz Musliu, mërgimtari nga Mitrovica i cili ka marrë me veturën e tij, për t’i dërguar në jug, ku më pas gjatë rrugës janë takuar me një patrollë policore.

Në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta Blic” Musliu, rrëfen vështirësitë e datës 17 korrik.

“Unë kam ardhë me djalin dhe vajzën e djalit rreth orës 3:00 në Jarinjë dhe duke e marrë polisen e sigurimit janë afru dy zyrtarë policor me rroba civile por me jelek antiplumb dhe kanë kërku me i marrë deri në Mitrovicë, me arsyetimin se na është prishur vetura, por gjatë rrugës pastaj treguan se kanë qenë në rrezik nga kontrabandistët dhe gjatë gjithë kohës kanë qenë në gjendje gatishmërie për të shtënë me armë”, u shpreh Musliu.

Ai tutje rrëfen se në Leposaviq kishin hasur në një turmë të qytetarëve, por duke qenë se vetura e tij ishte me targa të huaja dhe kishte xhama të zi, nuk arriten të identifikojnë se brenda saj ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Më poshtë mund ta ndiqni rrëfimin e plotë:

Lidhur me rastin “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim, nëse janë ndihmuar nga mërgimtari Musliu, por të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje deri në kohën e publikimit të artikullit.

Ndërkohë, në po atë ditë Kryeministri Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij policët, pjesëmarrës në aksionin e datës 16 Korrik, kundër kontrabandës në Leposaviq, përfshirë ata që u lënduan, dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

​Kryeministri Kurti priti policët që morën pjesë në aksionin kundër kontrabandës në Leposaviq

Ndryshe, ky nuk ishte rasti i vetëm kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar në pjesën veriore të vendit. / Gazeta Blic /