Mërgimtari që i propozoi të dashurës në aeroport rrëfen për dashurinë: U fejova me vajzë hasreti

Premtim Bilalli, 25 vjeçari shqiptar që jeton në Zvicër, me vizitën e fundit në Kosovë, ka bërë një gjest që do ta mbajë mend çdoherë.

Sapo arriti në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ai nxori unazën dhe i propozoi të dashurës së tij.

I riu që punon si frizer në Gjenevë të Zvicrës, ka treguar gjithë idenë e tij për këtë propopozim.

Ai tha se duke qenë se nuk ka mundur të jetë në Kosovë, për shkak të dokumenteve, ka menduar të bëj një propozim të tillë, pasi lidhja e tij me të dashurën, që është vajzë hasreti, ka një vit që është zyrtarizuar.

“Unë kam që para 1 viti në Kosovë dhe e kam bërë lidhjen familjarisht dhe përderisa e kam bërë familjarisht, un kam qenë në Zvicër dhe s’kam mundur të shkoj për arsye të dokumenteve, kështu që ideja ka qenë e imja dhe nuk e ka ditur e dashura ime për këtë ide. Sa u përket emocioneve, po shihet edhe në video se sa shumë kemi pasur” tha Premtimi për Syri.net Kosova.

I pyetur se a u frikësua për përgjigjen e vajzës, ai tha se e ka ditur që do thotë PO.

“(Qesh) po në atë moment kam qenë shumë i emocionuar dhe normal kam besuar që do të thotë PO, normalisht” janë fjalët e tij.

Në videon e publikuar, shihet interesimi i të pranishmëve në aeroport, të cilët e shikonin veprimin e Premtimit me habi, e sipas djaloshit, këtë gjë ai e bëri për shkak se e ndjeu, e jo për show.

 “Unë nuk e kam bërë për show e as për njerëzit, njerëzit flasin gjithmonë gjëra negative dhe pa e ditur rastin si është, kështu që nuk e kam problem se çka flasin tjerët, unë jam person që i pranoj edhe kritikat” theksoi 25 vjeçari.

Për gjithë ata që dashurojnë nga largësia, Premtimi ka një mesazh shumë të bukur dhe emocional.

“Mesazhi im kishte me qenë që këta që janë në largësi dhe jetojnë në Perëndim, si për femër, ashtu edhe për mashkull, duhet të kenë besim te njëri-tjetri, të jenë të sinqertë mes vete dhe mos t’i dëgjojnë fjalët e njerëzve, sepse, fjalët nuk ndalen, pa marrë parasysh se çka je, kështu që iu kisha lutur të gjithëve që për me qenë të lumtur, duhet të sakrifikojnë dhe të kalojnë shumë gjëra, uroj që gjithë të dashuruarit në largësi, Zoti t’i bashkojë sa më shpejt”, përfundoi ai.