Mërgim Lushtaku e lëshon mbledhjen pas përplasjes me Armend Mujën

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe deputeti i VV-së, Armend Muja, janë përplasur në mbledhjen e Komisionit për Buxhet.

Deputeti Lushtaku kërkoi që në pikë të rendit të ditës të jetë propozimi i grupit punues për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për BQK-në që të angazhojë dy ekspertë për këtë çështje.

Lushtaku kërkoi që në pikë e parë të jetë kjo çështje, teksa u përkrah edhe nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ky i fundit si kryetar i Grupit punues për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për BQK-në, tha se ka kërkuar që kjo pikë të jetë në rend dite, raporton EO.

“Komisioni e ka diskutuar në një mbledhje, por nuk ka asnjë vendim për angazhimin e ekspertëve. Për shkak të mosangazhimit të eksperteve, të cilët është dashur të bëjnë një analizë të ligjit ekzistues si bazë për diskutim me BQK-në dhe akterët e tjerë, grupi punues nuk është mbledhur”, tha Hoti.

Me këtë rast, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku lëshoi mbledhjen.