Mercenarët rusë të “Wagner” që ekzekutuan civilët e pafajshëm në Afrikë, do të luftojnë edhe në Mali

Junta ushtarake e Malit është në bisedime me grupin privat të sigurisë ruse wagner për të punësuar deri në një mijë mercenarë në vendin e Afrikës Perëndimore, kanë raportuar mediat opozitare ruse. Kompnia që angazhon mercenarët, Wagner,është e afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes të Malit nuk i mohoi diskutimet, të cilat u raportuan për herë të parë këtë javë.

“Mali synon të diversifikojë marrëdhëniet e tij në një periudhë afatmesme për ta rritur sigurinë e vendit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit.

“Ne nuk kemi nënshkruar asgjë me Wagner, por po flasim me të gjithë”, tha ai.

Që nga viti 2013, Franca ka vendosur mijëra trupa si dhe fuqi ajrore në Mali dhe në rajonin më të gjerë të Sahel, ku ata kryejnë operacione së bashku me forcat lokale kundër rebelëve islamikë të lidhur me Al-Kaedën dhe Shtetin Islamik.

Marrëdhëniet midis Francës dhe regjimit ushtarak në Bamako janë përkeqësuar që kur një grusht shteti në gusht 2020 rrëzoi Presidentin Ibrahim Boubacar Keita.

Presidenti francez Emmanuel Macron është zemëruar nga prapambetja në angazhimet për të mbajtur zgjedhje të reja, si dhe vendimet për lirimin e xhihadistëve të burgosur në këmbim të pengjeve.

Franca pezulloi bashkëpunimin ushtarak me Mali qershorin e kaluar dhe Macron ka njoftuar planet për mbylljen e bazave në veri të Mali dhe zvogëlimin e pranisë së trupave franceze në rajon.

Prania e mercenarëve rusë do të ishte një “vijë e kuqe” për Macron, tha një burim francez, e cili mund të bëjë që Parisi të dërgojë trupa të stacionuara në Mali në Nigerin fqinj.

Një diplomat në Ambasadën Ruse në Mali i tha AFP se “ne nuk jemi në dijeni të nënshkrimit të ndonjë kontrate midis Mali dhe Wagner” dhe se ambasada “nuk ka qenë ndërmjetës”.

“Ashtu si Franca dhe vendet e tjera, ne jemi të shqetësuar për sigurinë në rajon”, tha diplomati.

Vitet e fundit, paramilitarët rusë, “instruktorët e sigurisë”, kompanitë dhe këshilltarët janë rritur gjithnjë e më shumë me ndikim në Republikën e Afrikës Qendrore (CAR) të shkatërruar nga lufta, marrëdhëniet e së cilës me Parisin gjithashtu janë përkeqësuar.

Përmes lidhjeve të ngushta diplomatike dhe të sigurisë, kompanitë ruse kanë fituar koncesione në sektorin e minierave të CAR. Një nga burimet franceze tha se marrëveshja në diskutim midis Wagner dhe Mali do të përfshinte aksesin rus në të drejtat e minierave.

Në CAR, Franca dhe OJQ -të kanë denoncuar rolin e luajtur nga mercenarë nga Wagner, i cili thuhet se drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i afërt me Presidentin rus Vladimir Putin. Prigozhin, i cili është sanksionuar nga BE dhe SHBA, ka mohuar lidhjet me Wagner dhe çdo rol në konfliktet në Afrikë.