“Mercenarët na kishin dalë më lirë” | Kur Hekuran Murati i ofendonte rëndë veteranët e UÇK-së

Nesër me fillim nga ora 18:00 do të mbahet një protestë që vjen si reagim ndaj publikimit të përgjimeve të Mimoza Kusari-Lilës, e cila koordinohej me Slavko Simiqin, ish-deputet i Listës Serbe, edhe në lidhje me veteranët e UÇK-së.

OVL e UÇK-së tashmë e ka konfirmuar përkrahjen dhe pjesëmarrjen në protestë.

Në fakt, Qeveria Kurti nuk ka pasur marrëdhënie të mira me organizatën e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, të cilit janë ankuar për lënien jashtë rritjes së pagës minimale, ligj i cili u miratua dje në lexim të dytë.

Përtej kësaj, veteranët e luftës çlirimtare kanë pasur përplasje të veçantë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Kjo përplasje ishte intensifikuar posaçërisht pas publikimit të disa shkrimeve në Facebook të Muratit, të cilat ministri në Qeverinë Kurti i kishte shkruar vite më parë.

Më saktësisht, janë dy statuse jashtëzakonisht problematike për nga përmbajtja, madje në to ka edhe tone përçmuese e tallëse kundrejt njerëzve që luftuar kundër Serbisë në vitin 1998-199. Në postimin e 1 tetorit të vitit 2016, Murati atëbotë theksonte se tre muajt e një ushtrie guerile po kushtojnë më shtrejtë se një ushtri e rregullt.

“Përderisa pagesa për veteranët po don me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK-në asht vec 45.1 milionë euro. Për vitet 2017 dhe 2018 shkon tu ra madje, 44.8 dhe 44.6 përkatësisht. Këta tre muj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrejtë se ni ushtri e rregullt”, shkruante ai.

Tutje, Murati shkruante se më lirë do të dilte po të angazhoheshin mercenarë se sa pagesat e veteranëve të UÇK-së.

“Bile edhe mercenarë më pas angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muj ka 2 mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtue vec 120 milion euro gjithsej. Edhe as falemnderit s’kish pasë nevojë me ju thanë.” – shkruante tutje ai.

Ndërsa në një postim tjetër, Murati tallej me veteranët duke shkruar se Hashim Thaçi nuk do të guxojë të falë tokë Serbisë, veç sa të kthehen veteranët prej deti.

“Veç sa të kthehen veteranët prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i falë tokë Serbisë…” – shkruante ai me 6 gush të vitit 2018.

Pas publikimit të këtyre qëndrimeve skandaloze të Muratit për veteranët, ai kishte kërkuar falje për gjuhën e përdorur.

“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”, shkruante Murati.

“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, vazhdonte Murati.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti për këto shkrime skandaloze të Muratit kishte thënë: “Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështje madhore, dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua.”

Ndryshe, protestën e kanë përkrahur edhe AAK-ja, PSD-ja e Nisma.