Mentor Agani provoi t’i nxjerrte gjumin popullit për sanksionet, ia përmendin ulët babain

Mentor Agani, aktivist i shoqërisë civile dhe i biri i veprimtarit të shquar Fehmi Agani, ka marrë vëmendjen dje në rrjetin shoqëror Facebook pas një postimi kritik ndaj Qeverisë së Kosovës në lidhje me ndëshkimet e BE-së. Por, mënyra se si rrodhi debati nga disa simpatizantë të kryeministrit Kurti ishte… e rëndë.

Mentor Agani është një hulumtues në shoqërinë civile të Kosovës tash e një kohë të gjatë. Ai i ka shërbyer debatit publik në vend në vazhdimësi edhe përmes opinioneve të kohëpaskohshme që shprehte.

Ai po ashtu është i biri i veprimtarit të shquar të LDK-së, Fehmi Aganit, që ishte vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës.

Dje, Agani shprehur shqetësimin e tij të sinqertë në lidhje me ndëshkimet që po raportoheshin kundër Kosovës.

Shqetësimi

Ai shkroi në lidhje me raportimin e Euractiv se Kosova mund t’i humbiste 500 milionë euro deri në fund të vitit 2023.

“Kjo është diku rreth 350 euro për çdo banor (lexo: për ty), përkatësisht rreth 1400 Euro për çdo familje 4-anëtarëshme (lexo: për familjen tënde – nëse familja jote nuk i ka 4 anëtarë, humbjen e saj në Euro e gjen kur 350 e shumëzon me numrin e anëtarëve të saj).” – tha z. Agani.

Aktivisti nuk po jepte madje as mendim, thjesht po provonte t’i nxjerrte gjumin popullit kosovar përmes disa faktesh nga raportimi i bërë prej Euractiv.

Simpatizantët e VV-së

Por, disa simpatizantëve të VV-së iu pengoi shumë fjala e z. Agani.

Një prej tyre me emrin Afrim Hoxha akuzoi Mentor Aganin se po shkelte “parimet” edhe të heroit Fehmi Agani.

“Me këtë mentalitet, po shkel mbi parimet e të gjithë atyre që janë munduar e sakrifikuar për sovranitetit e pavarësi, përfshirë edhe Heroin Fehmi Agani.” – shkroi ai.

Edhe më brutal në kritikën e tij ishte Agron Dida.

“Jam i sigurt se me këtë mendim tëndin nuk do të pajtohej babai yt.” – u shpreh ai, ani pse nuk tregonte se kah po e merrte një siguri të tillë.

Megjithatë, Mentor Agani nuk qëndroi gojëkyçur ndaj këtyre sulmeve. Për të dy ai kishte përgjigje të elaboruara mirë dhe pa i sulmuar në mënyrë personale.

Një nga përgjigjet e tij ishte edhe kjo:

“…vitin e kaluar dhe sivjet kam qenë tri herë në Mitrovicën Veriore, dhe kam shëtitur e shikuar me orë të tëra pa paikë problemi. Veriun kemi qenë duke e kthyer në Kosovë, deri sa nuk filluat ta mbroni ju.” – shkroi fillimisht ai.

“Çfarë do të bënte Heroi Fehmi Agani nuk po të tregoj, por po të tregoj se çfarë nuk do të bënte – nuk do t’i prishte punët as me Amerikë, dhe as me BE, dhe nuk do të bënte asgjë nga ato që po i bën VV-ja. Përndryshe, nuk mund të të them se më çudit jashtë çdo mase “respekti” që për Fehmi Aganin e kanë përdhosësit më të mëdhenj të veprës së tij.

Të falemnderit që po ma përkujton që humbja në të holla nuk çon peshë në punët e atdheut. Fatkeqësisht, ka edhe humbje tjera më të rënda: duke i dalë e pabesë Perëndimit, Kosova e ka humbur fytyrën. Gjakova e ka një thënie të mrekullueshme: Më mirë është me të dalë shpirti, se zëri. Dhe Kosovës ia keni nxjerrë zërin – për faqe të zezë.”

Çka ndodhi?

Tashmë, BE-ja ka konfirmuar disa masa ndëshkuese ndaj vendit tonë ndërkohë që masa të tjera ka paralajmëruar edhe ShBA-ja.

Kryeministri Kurti po i quan këto masa si të padrejta dhe po shpreh shpresë se do të jenë kohëshkurta. Megjithatë, ai nuk ka pasur ndonjë fjalë se si do të ndalte dëmin që ndëshkimet do t’i shkaktonin vendit.