Mendoni se Putini është kërcënim global? Atëherë duhet të flasim për Shi Xhinpinin!

Nga: Simon Tisdall / The Guardian

Sikurse diktatorët e frikshëm në histori, Shi Xhinpin e ka një anë të butë. E do nënën e vet. Në një kronikë prekëse këtë vit për Ditën e Nënës, televizionin shtetëror shfaqi presidentin e fortë të Kinës duke shëtitur dorë për dore me 96-vjeçaren Qi Shin, veterane e partisë komuniste dhe nënë krenare e liderit suprem.

Shumë nëna lexojnë përralla ose ua këndojnë ninullat fëmijëve të tyre të vegjël. Jo edhe aq Qi. Ajo e mësoi Shiun pesëvjeçar për Jue Fein, një gjeneral të famshëm të Songut Jugor, që kishte këtë tatuazh në shpinë: “Shërbeji vendit me besnikërinë maksimale”. Ky slogan ekzaltues e kishte frymëzuar veprën e jetës së tij, pohoi Shi.

Nëna e Shiut bëri më shumë sesa ta forcojë fijen e tij morale. Ajo gjithashtu loboi privatisht në hierarkinë e partisë, për ta çuar para karrierën e tij të dobët të hershme. Sipas Kai Shosë, profesoreshë në pension e Shkollës Qendrore të Partisë (CCP), që tani jeton në mërgim, e frikshmja Qi i shkroi shefit të partisë së provincës Hëbei, në vitet 1980, duke i kërkuar që t’ia jepte djalit të saj një ngritje në shkallë.

Pavarësisht tërheqjes së fijeve prej saj, fati i Shiut vazhdoi të dobësohej “për shkak të performancës së tij mesatare”, vuri në dukje Kai. Por, nëna e tij këmbënguli. “Në vitin 1992, pasi [ajo] i shkroi një lutje liderit të ri të partisë në Fjuxhin … Shu transferua. Në atë pikë, karriera e tij merr hov”.

Anëtarë të tjerë me ndikim të familjes gjithashtu e ndihmuan Shiun të kapërcejë mungesën e dukshme të talentit. “Përfitoi jashtëzakonisht nga lidhjet e babait të tij, Shi Xhongshën, një udhëheqës i CCP-së me kredenciale të papërlyera revolucionare”, shkroi Kai.

Kështu, Shu bë trajektorja klasike e një princi partiak, duke përparuar përkundër dështimeve. Pasuan një sërë postesh të larta, që kulmuan më 2012-13 me postet më të larta partiake, ushtarake dhe qeveritare.

Tani, pasi ka hequr kufijtë e mandatit, Shi se de fakto duket do të kurorëzohet si president i përjetshëm në kongresin e partisë të këtij muaji.

Ky shtim i jashtëzakonshëm i fuqisë personale, tashmë e ka bërë Shin liderin më dominues kinez dhe më të frikshëm që nga Mao Ce Duni. Është edhe më e pazakontë sepse, ashtu si Mao, shumë nga iniciativat e mëdha të politikave të Shiut kanë dështuar, duke e kthyer Kinën prapa dhe duke dëmtuar pozitën e saj ndërkombëtare.

Janë zhdukur kufizimet e udhëheqjes kolektive, siç u praktikua nga paraardhësit Hu Xhintao dhe Xhang Zemin. Iku gjithashtu angazhimi për reformat e tregut dhe hapjen e mbështetur nga Deng Shaopingu. Dhe, gjithashtu i braktisur është parimi drejtues i Dengut për ngritjen e qëndrueshme dhe paqësore të Kinës.

Në vend të kësaj, Shi po shkon drejt prishjes, duke e shtyrë me forcë dhe me shpejtësi Kinën në kahun tjetër, drejt modelit të mbyllur dhe represiv të epokës maoiste të kontrollit të centralizuar shtetëror të administratës, biznesit, industrisë, tokës dhe njerëzve. Qeveria është bërë shfaqje e një njeriu.

“Mendimi Shi Xhinpinit”, i miratuar zyrtarisht, në praktikë është recetë për hiper-nacionalizëm, militarizimin e shpejtë, ekspansionizmin rajonal, dekurajimin e individualizmit dhe nënshtrimin e sektorit privat, të gjyqësorit, shoqërisë civile, akademisë dhe të medias ndaj partisë – dhe përfundimisht për vetë Shiu.

Megjithatë, duke e kundërshtuar një kult të përhapur të personalitetit, kritikët e paraqesin një pamje shumë të ndryshme. Kjo e portretizon Shiun si një pandë të rrezikshme, me natyrë të keqe, me lëkurë të hollë, një fanatik i kontrollit diktatorial, më shumë një tiranë sesa një pandë ledhatuese. Perceptimet e tilla e shtuan besimin ndaj raporteve false të javës së kaluar, për ndonjë grusht shteti.

“Në prapaskenë, si kurrë më parë fuqia e tij po vihet në dyshim”, shkroi Kai. “Përmbysja e reformave ekonomike nga Shiu dhe përgjigja e tij e paaftë ndaj pandemisë së koronavirusit, e kanë shkatërruar imazhin e tij si hero i njerëzve të zakonshëm. Në hije, po rritet pakënaqësia mes elitave të CCP-së”. Dhe, është përkeqësuar nga spastrimet e motivuara politikisht të Shiut ndaj rivalëve “të korruptuar” të partisë.

Ashtu si vendet tjera, ekonomia e Kinës përballet me erërat e kundërta, megjithatë shumë nga problemet e saj janë vepra të Shiut, argumentoi Clark Packard i Institutit Cato. Një shembull ishte “flluska e borxhit në sektorin e mbingarkuar të pasurive të paluajtshme që ka çuar në kriza spektakolare”, shkroi ai.

“Shoqëroje këtë me rendët e fundit me … ngadalësimin e rritjes së prodhimit, rënien demografike dhe ikjen e vazhdueshme të trurit dhe bëhet më e qartë se Kina nuk është fuqia ekonomik që shumëkush në Perëndim besojnë se është”.

Dobësia e brendshme përputhet me mbiarritjen e jashtme. “Nën Shiun, Kina ka nisur të kërkojë epërsinë rajonale dhe potencialisht globale … që do të çojë në rritjen e konkurrencës apo edhe në konfrontim me ShBA-në”, paralajmëroi një prej analistëve më të njohur amerikan, Richard Haass.

Falë kërcënimeve të tij ndaj Tajvanit, shtypjes së demokracisë së Hong-Kongut, abuzimeve skandaloze të ujgurëve dhe tibetianëve, diplomacisë konfrontuese të “luftëtarit të ujqve”, investimeve grabitqare në infrastrukturën rrugore dhe mbështetjes së heshtur për pushtimin rus të Ukrainës, Kinës së Shiut gjithnjë e më pak i besohet dhe gjithnjë e më e frikshme është për botën përreth.

Një sondazh i publikuar javën e kaluar nga Qendra e Pavarur Kërkimore PEW, sugjeroi se opinioni për Kinën në ShBA dhe ekonomitë e tjera të përparuara “është kthyer në mënyrë të shpejtë në anën negative” në dekadën e fundit. Shumica në pjesën më të madhe të vendeve shprehën “pak ose aspak besim në qasjen e Shiut ndaj çështjeve botërore”.

Murmuritjet rebele në shtëpi, frika dhe urrejtja jashtë vendit, rënia e performancës kombëtare dhe reagimi i gjithanshëm në rritje: ky është konteksti i pafavorshëm, teksa Shi rrëmben frenat si lideri Suprem, në dukje i padiskutueshëm i Kinës. Si do të reagojë ai?

Kai Sho, e cila për dekada e ka parë atë nga afër, ka frikë nga më e keqja. Shi, pretendon ajo, e sheh veten si perandor modern. Megjithatë, fraksioneve kundërshtare, të ndara të CCP-së, aktualisht u mungon fuqia për ta hequr atë nga froni.

“Shi pa dyshim do ta shohë fitoren e vet si mandat për të bërë çfarë të dojë”, parashikoi Kai.

“[Ai] do t’i dyfishojë politikat e tij të ekonomisë shtetërore. Do të vazhdojë të eliminojë në mënyrë parandaluese rivalët e mundshëm dhe të forcojë kontrollin shoqëror, duke e bërë Kinën të duket gjithnjë e më shumë si Koreja e Veriut”.

Dhe, nëse duhet të heshtën kritikët vendas duke prodhuar një krizë ndërkombëtare, “një Shi i guximshëm mund të përshpejtojë militarizimin e tij të zonave të diskutueshme të Detit të Kinës Jugore dhe të përpiqet të pushtojë me forcë Tajvanin”, shkroi ajo.

Agimi i kuq i epokës perandorake të Shiut vjen në një kohë të keqe për botën, duke pasur parasysh se aktualisht gjithçka që po shkon keq në nivel global – dhe kjo ngre një pyetje shqetësuese, ekzistenciale: a mund të jetë dikush më i frikshëm se Vladimir Putini që rrëmben tokë dhe përdor armët bërthamore?

Përgjigja është, po: një megaloman komunist i pasigurt kinez me çështje mamaje.

Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com