Memorial për të gjithë Jasharajt e flijuar me 5, 6 dhe 7 mars ‘98

Shkruan: Arianit Bytyçi

Kosova dhe Prishtina si kryeqytet i saj duhet ta ketë monumentin e familjes heroike Jashari të Prekazit. Pra, monumenti që do të përfshinte, mes tjerash, edhe shtatoret, përveçqë do të prezantonte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, duhet të jetë një monument gjithëpërfshirës, ku duhet të prezantohet flijimi i të gjithë familjarëve të komandantit legjendar, anëtarë të tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.

Madhështia e Epopesë së Jasharëve qëndron pikërisht në faktin se në këtë epope kanë rënë heroikisht 3 gjenerata të familjes së komandantit Adem Jashari: ka rënë heroikisht Komandanti, vëllai i tij, babai e nëna, fëmijët e tij e të vëllezërve të tij, daja, kanë rënë prindërit e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Musa e Sahit Jashari, dhe bashkëluftëtarët e tjerë të Prekazit e të Drenicës. Prandaj, duhet të ketë monument të të gjithë Jasharëve të flijuar për lirinë e Kosovës. Ky monument gjithëpërfshirës që prezanton sakrificën dhe flijimin e të gjithë Jasharëve të rënë në Epopenë e UÇK-së e madhështon lavdinë e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Për të realizuar këtë monument të Epopesë së UÇK-së, të Epopesë së Jasharëve, duhet të ketë qasje të integruar ndërinstitucionale, ku duhet të përfshihen përmes një komisioni ndërinstitucional këto institucione:

– Qeveria e Kosovës (përmes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës);

– Kuvendi i Kosovës (përmes Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale);

– Komuna e Prishtinës (përmes Drejtorisë së Kulturës, Drejtorisë së Planifikimit dhe asaj të Urbanizmit);

– Familja Jasharaj nga Prekazi;

– Shoqatat e dala nga lufta.

Ky grup ndërinstitucional pas analizave dhe diskutimeve edhe me publikun do të duhej të përzgjidhte një lokacion adekuat reprezentativ për projektimin dhe ndërtimin e monumentit të epopesë së UCĶ-së, pra Epopesë së Jasharëve të Prekazit, ku do të mund të prezantohej në mënyrë të dinjitetshme flijimi heroik i gjithë familjes Jashari.

Në këtë kuadër grupi teknik profesional që do të duhej të rridhte nga komisioni ndërinstitucional do të angazhohej për përgatitjen e një detyre projektuese të mirëfilltë, që do t’i paraprinte shpalljes së një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës.

Detyra projektuese do të duhej të paraqiste objektiva dhe parime bashkëkohore të arkitekturës, skulpturës, të artit e të arkitekturës së peizazhit, në mënyrë që monumenti i Jasharëve, i komandantit Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë në mars të vitit 1998, të ketë identitet origjinal, të ketë përmbajtje, të ketë mesazh dhe të jetë ikonë – “landmark” arkitektonik i Prishtinës e i Kosovës.

Vetëm me këtë qasje serioze institucionale do të mund të inkurajonim pjesëmarrjen e mendjeve më të ndritura të arkitekturës dhe skulpturës botërore dhe vendore, dhe në këtë mënyrë do të arrinim të realizonim një monument të denjë të lirisë së Kosovës, që do të prezantonte në mënyrën më të mirë sakrificën e flijimin unik të familjes Jashari të Prekazit për lirinë e Kosovës.

Autori është arkitekt