Memli Krasniqi shpreh ngushëllime për vdekjen e nënës së Kadri Veselit: Mbylli sytë pa e pasur pranë djalin e saj

Ka vdekur në moshën 93-vjeçare Ajshe Veseli, nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Me këtë rast, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka shprehur ngushëllime duke thënë se nëna Ajshe ka qenë një grua e fortë e bujare.

“Nëna Ajshe ishte grua e fortë e bujare, nënë e një heroi të gjallë, që i rriti e i edukoi bijtë e saj në frymën e atdhedashurisë. Një jetë e tërë me sakrifica, pa kursyer asgjë nga vetja, ku krenaria mposhti mallin për të birin, që në çdo etapë i shërbeu Kosovës. E tillë ishte jeta e nënës Ajshe, e cila i mbylli sytë pa e pasur pranë djalin e saj, Kadriun”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka shtuar se ai dhe PDK-ja sot i bashkohen dhembjes së familjes Veseli.

“Shpirti i nënës Ajshe u prehtë në paqe!”, ka shtuar ai.