Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi bashkë me bashkëshorten e tij Melizën ka marrë pjesë sonte në shënimin e 50-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, me ç’rast përcollën shfaqjen “Halili e Hajria”, që është edhe vepra e parë e baletit shqiptar.
“Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe ata të Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, nën përcjelljen e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, sonte na dhuruan një shfaqje të jashtëzakonshme. Kjo trupë e mahnitshme, përmes emocioneve që na përcollën, na rikujtuan edhe një herë sakrificat e mëdha të një gjenerate të tërë artistësh, të cilët, nën sfida të panumërta themeluan dhe mbajtën gjallë baletin kosovar”, ka thënë Krasniqi.
Kreu i opozitës kosovare tha po ashtu se fatkeqësisht, edhe sot, kushtet në të cilat balerinët veprojnë, nuk janë meritore për vullnetin dhe talentin e tyre të rrallë, për çka duhet të veprohet sa më parë.
“Në këtë jubile të rëndësishëm, na mungoi shumë të gjithëve ish-drejtori i këtij institucioni, Ahmet Brahimaj, miku im e njeriu që i kushtoi një jetë të tërë lartësimit të Baletit në vendin tonë. Megjithatë, vepra të cilën Ahmeti e ka lënë pas, para së gjithash, vet nxënësit e tij, e kanë përjetësuar emrin e tij në skenën e artit tonë”, tha Krasniqi.







