Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do të mbahet të dielën, më 14 shtator, në Hagë. Ai ka theksuar se kjo është një thirrje për drejtësi dhe për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova do të jenë aty për të ngritur zërin për luftën e drejtë të UÇK-së dhe për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht. Kjo protestë është thirrje për të vërtetën dhe për drejtësinë që u takon atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë,” tha Krasniqi.

Ai nënvizoi se procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fundit dhe se populli i Kosovës pret me besim lirimin e shpejtë të heronjve të saj. “UÇK-ja ishte dhe mbetet themeli i lirisë sonë. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrë të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur nderin e saj dhe për të kërkuar drejtësi të barabartë për të gjithë,” shtoi kryetari i PDK-së.

Në fund, Memli Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste në Hagë, duke e cilësuar atë si një akt të domosdoshëm në mbrojtje të lirisë dhe të vlerave të Kosovës.