Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar qytetarët e Lipjanit për mbështetjen e madhe që, sipas tij, po dëshmohet çdo ditë në fushatën e PDK-së.

“Faleminderit nga zemra për këtë mbështetje të madhe, e cila edhe sonte dëshmoi qartë: verdikti i qytetarëve të Lipjanit për #MaMirë është i pakontestueshëm,” ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se rrugën për zhvillim dhe dinjitet të komunës e njeh më së miri kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, të cilin e quajti “njeri të fjalës, të punës dhe të përkushtimit”.

“Kryetar që ka lënë gjurmë me vepra dhe dashuri për Lipjanin. Sot, më shumë se kurrë, Lipjani ka nevojë të kthehet në shtëpi të vërtetë për të gjithë qytetarët, një vend me zhvillim, investime dhe dinjitet,” tha Krasniqi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë Shukri Bujën për kryetar dhe PDK-në me numrin 191.