Memli Krasniqi: Hardh Fest e ka kthyer Rahovecin në pikëtakim të dashamirëve të rrushit, verës e muzikës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka qëndruar në Rahovec, ku në kuadër të festivalit Hardh Fest ka takuar vreshtarët e kësaj komune dhe ka vizituar bodrumin e verës Stone Castle.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, thotë se qëndroi në shoqërinë e miqve e dashamirëve dhe  bashkëbisedoi me qytetarë të shumtë nga e tërë Kosova.

“Në qytetin e rrushit, vreshtave e verërave – në Rahovec, në një atmosferë miqësore e mikpritëse, u mblodhëm për “Ca kokrra rrushi” në Hardh Fest”, shkruan kryetari i PDK-së.

Krasniqi, në vitin 2015 si Ministër i Bujqësisë pati ofruar mbështetje institucionale për krijimin e Hardh Fest-it.

“Jam krenar që si Ministër i Bujqësisë e kam mbështetur krijimin e këtij festivali në vitin 2015, sepse Hardh Fest e ka kthyer vëmendjen kah qyteti i Rahovecit, duke u shndërruar çdo shtator në pikëtakim për dashamirët e rrushit, verës dhe muzikës nga Kosova dhe përtej”, shprehet Krasniqi.

Postimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Në qytetin e rrushit, vreshtave e verërave – në Rahovec, në një atmosferë miqësore e mikpritëse, u mblodhëm për “Ca kokrra rrushi” në Hardh Fest. 

Ishte kënaqësi të takoj njerëzit e vyer të kësaj komune që kishin ekspozuar produktet e tyre cilësore, të vizitoj bodrumin e një prej prodhuesve të shquar të verës në Ballkan – Stone Castle, si dhe të qëndroj në shoqërinë e miqëve e dashamirëve, e të bashkëbisedoj me qytetarë të shumtë nga e tërë Kosova.

Jam krenar që si Ministër i Bujqësisë e kam mbështetur krijimin e këtij festivali në vitin 2015, sepse Hardh Fest e ka kthyer vëmendjen kah qyteti i Rahovecit, duke u shndërruar çdo shtator në pikëtakim për dashamirët e rrushit, verës dhe muzikës nga Kosova dhe përtej.