Kryetari i Partisë Demokratike së Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka treguar një ngjarje të padëgjuar deri më tash se si ish-kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e thirri një nata para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçin në qeveri që t’i tregonte të gjitha detajet e 17 shkurtit 2008.

Krasniqi këtë ngjarje e shpalosi në promovimin e librit biografik “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”, nga autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger, në Bibliotekën Kombëtare.

“Më 16 shkurt 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përkundër peshës së madhe historike që kishte marrë mbi vete, kryeministri Thaçi po sigurohej në detaje që gjithçka të ishte gati për ditën e madhe që po na priste të nesërmen. Edhe pse teknikisht gjithçka ishte përgatitur, dikur në orët e vona të mbrëmjes ai kishte edhe një kërkesë të gjithë ne në ekipin e ngushtë menduam se ndoshta do të kishim harruar ndonjë gjë apo kishte edhe ndonjë hap procedural që duhej përfunduar. Por në fakt kërkesa e tij, më shumë edhe si dëshirë ishte që të takonte atë natë simbolin e rezistencës së popullit tonë, Adem Demaçin”, tha Krasniqi.

Ai më tej tregoi se nga fundi i takimit Thaçi ia shpalosi edhe flamurin e republikës që do të shpallej pas më shumë se 20 orëve, të dy ishin të emocionuar

“Baca Adem personifikonte qëndresën, sakrificën dhe përpjekjen e gjatë të popullit tonë për arritjen e asaj dite dhe kryeministri ishte i vendosur që atij të i tregonte gjithçka që do të ndodhte të nesërmen, dhe kështu baca Adem ndjesë pastë erdhi në kryeministri dhe aty kryeministri Thaçi e priti dhe e informojë për detajet e ditës së nesërme. Nga fundi i takimit ia shpalosi edhe flamurin e republikës që do të shpallej pas më shumë se 20 orëve, të dy ishin të emocionuar. Ishte ndër skenat më surreale që kisha parë gjatë jetë sime, duket sikur po shkriheshin e po bëheshin një dy epokat e historisë sonë, sikur po shpaguhej vuajtja e sakrifica qëndrestare e popullit tonë në një akt, duke e materializuar para syve tonë realizimin e qëllimit shekullor për liri dhe pavarësi. Aty në atë moment pash një tjetër Hashim, pash Hashimin jo vetëm si lider, si kryeministër që po bëhej gati të shpallte pavarësinë e vendit tonë, por pash Hashimin falënderues, empatik e vlerësues sikur asnjëherë tjetër, Hashimin i cili me dëshirë dhe vetëdije u bë i vogël para bacës Adem, e që në gjykimin tim pikërisht kjo e bëri më të madh si njëri e si lider. E ky ishte mësimi tjetër që mora nga Hashim Thaçi”, tha Krasniqi./Ballkani.info

VIDEO BONUS: Krasniqi e tregon një detaj të padëgjuar për Thaçin dhe Adem, një ditë para shpalljes së pavarësisë