Memli Krasniqi: Dënimi i Calit nxitë indinjatë të secili shqiptar, lufta e UÇK-së ishte e drejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të shqiptuar nga Gjykata Speciale ndaj Salih Mustafës – Calit me 26 vite burg.

Krasniqi ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, andaj, dënimi i sotëm i Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, nxitë indinjatë te secili shqiptar.

“Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj historinë e lavdishme të Kosovës.

“”Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i PDK-së ka thënë se mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare. Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë”, ka përfunduar ai.

Postimi i plotë: